Rama: Shqipëria renditet e 18-ta në botë për sigurinë dixhitale. Transferta në euro me të njëjtat rregulla si në BE

Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij javor “Flasim”, ka ndarë dy arritje të rëndësishme për Shqipërinë që lidhen me integrimin financiar dhe sigurinë dixhitale.
Ai njoftoi se vendi është tashmë anëtar i plotë i SEPA-s, (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro), çka do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare të kryejnë transferta në euro me vendet e Bashkimit Evropian me komisione të ulëta dhe sipas të njëjtave rregulla që zbatohen brenda BE-së.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, u shpreh Rama, kjo nismë pritet të sjellë një kursim prej rreth 20 milionë eurosh në vit për ekonominë shqiptare.
“Nga data 7 tetor e këtij viti, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE,” u shpreh ai.
Në të njëjtën bisedë, Rama vuri në dukje edhe përparimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike.
Kryeministri deklaroi se, Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 18-të në botë.
“Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme duke u renditur me 85 pikë sipas Cyber National Security Index dhe duke u ngjitur me 36 vende krahasuar me vitin 2023.”
Ai e cilësoi këtë si një histori suksesi që tregon përkushtimin e institucioneve shqiptare për të ndërtuar një sistem të sigurt dhe të qëndrueshëm në epokën dixhitale.
“Brenda vetëm dy vitesh, Shqipëria ka kaluar dhjetëra shtete të mëdha dhe me traditë të konsoliduar në këtë fushë, duke u shndërruar në një nga historitë më të jashtëzakonshme të suksesit në sigurinë kibernetike globale,” tha Rama.
/rtsh.al/