Rama: Shqipëria vend i sigurtë, ndër arsyet kryesore pse e pëlqejnë turistët

TIRANË 30 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin sot në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier për të vijuar takimet këshilluese me prindërit për kufizimin e rrjeteve si TikTok.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë, u ndal tek tragjedia në Tiranë, ku u vra një 14-vjeçar.
“Kam dëgjuar në këto ditë kur një tragjedi është marrë dhe vazhdon akoma dhe përdoret si material, si ai materiali që thashë, të gjejmë material për të bërë sa më shumë konfuzion në trurin e njerëzve dhe me qëllimin për interes politik, luftë për pushtet ose biznes mediatik. Biznes mediatik domethënë të krijojë audiencë sa më shumë, të mbledhë sa më shumë njerëz, duke treguar dhe ta tregojë gjënë në mënyrë sa më katastrofike që filmi të mbajë sa më shumë njerëzit mbas ekranit”, tha Rama.
“Nuk po hyj fare, them që një pjesë e atyre që janë në ekran, dalin atje të bëjnë moral, të tregojnë historira, të tregojnë edhe gishtin dhe dalin pastaj që janë të paguar nga të tjerë për të cilët ti akuzohesh se etj etj, s’dua të hyjë në këtë fushë dhe në këto kushte. Gjatë gjithë këtyre ditëve është stimuluar një ndjenjë e madhe pasigurie, a thua se këtu në të gjitha shkollat, të gjithë fëmijët shkojnë dhe s’dihet a kthehen a nuk kthehen larg qoftë, që nuk është rasti”, theksoi Rama.
“Në aspektin e sigurisë, nëse dëgjon të gjithë të huajt që vijnë, po nëse dëgjon dhe shqiptarët që vijnë, që jetojnë jashtë, Shqipëria është një nga vendet më të sigurta. Çfarë ndodh hera-herës mes grupesh kriminale, nuk ka lidhje me qytetarët. Është një nga vendet më të sigurta dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse turistët e pëlqejnë Shqipërinë”, theksoi Rama.
“Unë takoj për shkak të detyrës herë pas here njerëz që vijnë nga jashtë, të huaj, edhe që kur qëllon që qëndrojnë një natë këtu, të nesërmen thonë, si ka mundësi këtu? Ndërkohë që nuk është ky, nuk është ky realiteti në qytetet e Europës. Qytetet e mëdha të Europës, – unë kam shumë e shumë vite që s’mbaj orë, – por në Londër nuk ecet në rrugë në qoftë se ke një orë në dorë, mund të ketë një vlerë të caktuar. Nuk ecën dot, nuk ecën në Londër, nuk ecën në rrugë nëqoftëse ke një çantë të shtrenjtë në krahë dhe kjo nuk është vetëm për Londrën, është për shumë vende”, u shpreh Rama.
“Tani bëjmë këto biseda, sepse në fund të ditës gjithë procesi i bashkëjetesës së shoqërisë është një proces ngjarjesh, është një proces problemesh, probleme të vjetra që s’janë zgjidhur akoma, probleme të reja që dalin dhe si pjesë e këtij procesi, edhe qeverisja është një proces përmirësimi të vazhdueshëm dhe thonë, “Tani u kujtuat ju për këto”? Jo mo, nuk jemi kujtuar tani ne, se po të ishim kujtuar tani ne, kjo shkolla këtu, që unë e kam parë edhe kur nuk ishte e rindërtuar, nuk do ishte kështu. Po nuk do ishin kështu shumica dërmuese e shkollave të Shqipërisë sot”, tha ai.
“S’jemi kujtuar tani, se kur ne kemi nisur këtë përpjekje, të gjeje libra që rrinin nëpër rafte në shkollë duhet të kërkojë në memorie se si kishte qenë dikur, se s’ekzistonin. Të gjeje banjo në shkolla, që nuk e nxirrnin ujin në korridor, – në banjo shkoje duke ndjek ujin, ta tregonte uji ku ishte banjo”, u shpreh Rama.
“Dhe ky është se unë i kam parë, për fat të keq dhe të mirë, të gjitha gjërat në Shqipëri më shumë se kushdo tjetër, sepse më ka kërkuar detyra. për të mos folur për të tjera e për të tjera. Palestrat, me të drejtë e tha profesori që të ketë më shumë palestra. Patjetër, por sot ne nuk kemi më projekte shkolle, nuk e lejojmë më prej kohësh që bëhet një rindërtim shkolle pa palestrën, ose që të bëhet një shkollë e re pa palestër”, tha Rama.
Sot, shtoi ai, ” ka palestra, – se më kujtohet gjithmonë e më vjen për të qeshur, – një drejtor shkolle në një fshat, nga ato të rindërtimit që tha, “O kryeministër, po e tepruat o burrë, kemi më shumë banjo nëpër shkolla se nëpër shtëpiat e fshatit? Ka më shumë banjo shkolla se fshati. Domethënë gjithë ky transformim infrastrukture ka qenë i domosdoshëm, por nuk është i mjaftueshëm se nuk mjafton të ndryshosh tullën e vjetër me tullën e re, që të ndryshojë përmbajtja e procesit mësimor”.
“Komponenti tjetër që ne nuk u kujtuam tani janë mësuesit. Mësuesit ne i kemi gjetur njerëz të pambrojtur nga shteti, në çfarë kuptimi? Asnjë mësuese nuk e kishte të sigurt vendin e punës. Mund t’i vinte urdhri “Çohu tani ik. Do shkosh andej, madje çohu nga këtu, do shkosh në një ku di unë se ku”, që ta detyronin të jepte dorëheqjen se do vinte një tjetër që kishte mik. Ku ekzistonte futja e mësuesit në shkollë sipas meritës? Nuk e di kush e mban mend që kemi gjetur mbi 4 mijë mësues që ishin jashtë profilit, mësues biologjie që jepte gjeografi, mësues që kishte mbaruar për muzikë që jepte aritmetike, kap e fut njerëz nëpër punëra për funksione të tjera. Ku ndodh më? Nuk ka ndodhur që nga dita 1 kjo me ne, por sot po ta thuash duket sikur po flasim për një epokë tjetër, në kuptimin e 50 vjetëve, por nuk po flasim për këtë, po flasim përpara 10-11 vjetësh. Ku ka ndodhur më që t’i thonë njëri “Çohuni se ka miting”?”, tha Rama.
“Edhe këto takime që po bëjmë tani me kujdesin më të madh që të vijnë njerëz që janë përfaqësues të prindërve, se nuk është puna të bëjmë një takim që “Hajde se po flasim ne dhe të tjerët të rrinë sfond”. Mësuesit ishin “Çohuni, hajde se erdhi”. O burra të gjithë, me gjithë kalamaj. Mbushur sheshet me mësues e me kalamaj”, u shpreh Kryeministri.
“Tjetra që është e gjithë pjesa e trajnimeve të mësuesve e të tjerë. Drejtorët, unë e besoj atë se e dëgjova në takimin e mëparshëm që “Mësuesit janë shumë të rëndësishëm”, por shumë të rëndësishëm janë drejtorët e shkollës, nuk diskutohet. Nëse ne me mësuesit e zgjidhëm më parë dhe nuk i prek më njeri mësuesit “Për kë voton” është e pamundur. Nuk e merr dot një mësues ta kapërcesh dhe t’i thuash “Do të çoj ty në punë se ti je me ne dhe do të heq këtë tjetrën se kjo është kundër nesh”. Nuk e bën dot sepse e kemi bërë dhe me ligj portalin etj. Mund të ketë gjëra që nuk shkojnë dhe nuk e përjashtoj, por në tërësi është kështu”, tha Rama.
“Tek drejtorët problemi ishte që nuk e kishim këtë sistem dhe politizimi, në kuptimin e influencës jo deputeti, jo ky e ai, nga influencë që ishte nga mësuesit, tek infermierët, tek policët e tek të gjithë mbeti një influencë tek drejtorët e shkollave dhe edhe këtu kemi një shkollë drejtorësh prej disa vitesh që funksionon me fondin amerikan që të rrisë kapacitetet menaxheriale të drejtorëve”, tha Rama.
Ai u shpreh se, “i them të gjitha këto, jo për të thënë që çfarë mrekullish kemi bërë. Po i them që nuk jemi kujtuar tani, por probleme do ketë gjithmonë, sfida do të ketë gjithmonë dhe patjetër ka gjithmonë vend për përmirësim”. /j.p/