E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Siguria ushqimore, çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional

TIRANË, 26 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e përafrimit të sigurisë ushqimore me standardet e Bashkimit Europian.

Kjo, sipas tij, lidhet me një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Kjo ka të bëjë me sigurimin e të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se duhet të garantojmë që çdo produkt që konsumojnë qytetarët, jo thjesht të jetë i sigurt, por të jetë një produkt i pranuar dhe i suksesshëm në tregun e nesërm të përbashkët të Europës, ku ne do të jemi anëtarë me të drejta, por edhe me detyrime të barabarta.

Kryeministri theksoi se ky proces, shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030.

“Nuk është një çështje rregullash në letër, është një çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional prodhimi, kontrolli, cilësie dhe besimi në çdo hallkë. Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën vetëm harmonizimin ligjor me Bashkimin Europian, por edhe duhet të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve në realitetin e përditshëm”, shtoi ai.

Ndaj, Rama informoi se po ndërveprohet gjithmonë e më aktivisht me sipërmarrësit dhe sipërmarrjet në bujqësi e blegtori.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›