E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Sistem të ri, bazuar në inteligjencën artificiale edhe te prokurimet

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot po punohet për ngritjen e një sistemi të ri, bazuar në inteligjencën artificiale në fushën e prokurimit publik.

“Nuk jemi të kënaqur. Jemi duke punuar për një model të inteligjencës artificiale edhe te prokurimet, si te shërbimet publike, që të kemi në një masë shumë të madhe instrumentin teknologjik që bën procesin,” u shpreh Rama, gjatë konferencës së mbajtur në Tiranë për prezantimin e raportit të monitorimit të OECD/SIGMA.

Sipas tij, kjo do të bënte që prokurimet publike të ishin shumë herë më transparente, më të shpejta dhe t’i krijonin më tepër mundësi punonjësit të merrej me çështje të tjera.

“Vetëm të numërosh sa komisione prokurimi ngrihen dhe sa persona futen në komisione prokurimi janë një ushtri e tërë. S’mund t’u kërkosh të dinë çdo gjë mbi procesin e prokurimit,” theksoi kryeministri.

Ndërsa me sistemin e ri që po ndërtohet, vijoi ai, në një periudhë kohe të arsyeshme do të mund të bëhet një hap i jashtëzakonshëm përpara.

“Po punojmë me Microsoft në mënyrë intensive. Kemi siguruar që të drejtën e autorit ta ketë qeveria. Pasi ta mbarojmë, edhe mund t’ua shesim atyre që duan të përmirësojnë sistemin e prokurimit, madje edhe ndonjë vendi të BE-së, nëse do të na e kërkojnë,” tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›