Rama: Sistemim i plazhit publik në Vlorë dhe çadra falas për pushuesit

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Qyteti i Vlorës me plazhet e tij është një ndër destinacionet e preferuara të pushuesve vendas e të huaj.
Për t’i ofruar kushte sa më të mira pushuesve bashkia e Vlorës ka sistemuar plazhin publik, duke pastruar rërën dhe vendosur çadra për pushuesit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aksion i bashkisë në plazhin publik të Vlorës.
Rama tha se me sistemimin e plazhit publik në Vlorë, nuk ofrohet vetëm hapësira e lirë, por edhe çadrat falas për të gjithë pushuesit që dëshirojnë të shijojnë bregdetin.
Në plazhet e Vlorës, nga Zvërneci deri në Orikum investimet në infrastrukturë kanë bërë diferencën duke sjellë shërbime më të mira për të gjithë turistët vendas dhe të huaj.
Turistë vendas e të huaj, të cilët po pushojnë në plazhet e Vlorës, vlerësojnë veçanërisht pastërtinë dhe qetësinë që të ofron ky destinacion turistik.
/k.s/