E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Situata në arsim sot si dita me natën krahasuar me 10 vite më parë


TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama foli për situatën në të cilën gjendet sot sistemi arsimor, ndërsa u shpreh se “nëse kthejmë kokën dhe shohim se ku jemi sot me nga u nisëm, është dita me natën”.

Në takimin e djeshëm përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësues e prindër, ku u prezantua Plani i Ri i Veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë dhe ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënies shkollë-nxënës–prindër, Rama nënvizoi se “nëse shohim përpara se ku duam të mbërrijmë jemi në të gdhirë”.

Kryeministri kujtoi se deri para 10 vjetësh mësuesit ishin pa asnjë lloj mbrojtjeje dhe rekrutimi i tyre ishte komplet mbi baza arbritrare.

“Diskutohet për shkollat, diskutohet për mësuesit, diskutohet për të gjithë këta elementë por në fakt, nëse kthejmë pak kokën mbrapa të gjitha këto diskutime do të ishin të pamundura të bëheshin dhe do ishin të pamundura të imagjinoheshin deri dje kur shkollat ishin në një derexhe që të gjithë ata që janë pjesë e trupës mësimore e mbajnë mend fare mirë se nuk kanë qenë përpara 50 vjetësh, por kanë qenë përpara 10 vjetësh ku mësuesit ishin pa asnjë lloj mbrojtjeje dhe mund të merreshin e të flakeshin sa hap e mbyll sytë nga një shkollë tek tjetra, nga një punë tek tjetra apo nga puna si mësues në rrugë dhe ku rekrutimi i tyre ishte komplet mbi baza arbritrare”, tha Rama.

Sipas tij, “në këtë vend kemi pasur 4500 mësues që paguheshin për të dhënë lëndë për të cilat nuk kishin asnjë kualifikim”.

“Mësues muzike që jepnin fiskulturë, mësues kimie që jepnin aritmetikë, mësues aritmetike që jepnin muzikë. Ky është realiteti dhe kur trupa mësimore përdhunohej duke e marrë si kope delesh për ta nxjerrë nëpër mitingje. Çfarë mund të prisje më shumë nga mësuesit kur ata ishin tërësisht të pasigurt në pozicionin e tyre, përveç gjithçkaje kanë bërë me pasionin dhe me përkushtimin si mësues, personal?”, tha kryeministri.

Rama foli po ashtu për situatën e pagave të mësuesve si dhe për altertekstet, që ishin një pazar i madh.

“Doni të diskutojmë për pagat, si ishin pagat e mësuesve? Doni të diskutojmë për palestrat e shkollave, që shkollat me palestër numëroheshin me gishtat e dy duarve në të gjithë Shqipërinë? Doni të diskutojmë që kur ne morëm detyrën, ora e edukimit fizik ishte hequr nga programi mësimor qysh nga rënia e regjimit të kaluar? Doni t’ju them që ne vendosëm të rikthejmë edukimin fizik, por nuk gjenim dot mësues të edukimit fizik? Këto të gjitha nuk ishin histori nga Lufta Nacional Çlirimtare, janë të gjitha pjesë e jetës sonë këtu. Ata që i kanë sot fëmijët 15-16 vjeç i kanë shumë të qarta dhe më e rëndësishmja akoma, doni të flasim për tekstet mësimore, për të famshmin altertekst kur një mori shtëpish botuese futeshin në lojë për të prodhuar tekste dhe tekstet ishin një pazar i madh”, theksoi ai.

“Doni të flasim për provimet? Doni të flasim për futjen në universitet që ishte një rrumpallë më vete? Sot kemi një sistem arsimor që ka nevojë për shumë më tepër dhe kjo nuk diskutohet, por ashtu sikundër me çdo sistem tjetër, askush që do të bëjë një vlerësim objektiv nuk duhet ta harrojë se nëse kthejmë kokën dhe shohim se ku jemi sot me nga u nisëm, është dita me natën. Nëse shohim përpara se ku duam të mbërrijmë jemi në të gdhirë. Ky është realiteti”, theksoi Rama.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›