E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S'ngutem për dorëheqje, do ankimoj zgjedhjet

Kryesocialisti Edi Rama nuk do të flasë as për humbje dhe as për dorëheqje deri në daljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Sipas Ramës, Ben Blushi e Arben Malaj nguten në kërkesat e tyre për të pranuar humbjen , ndërkohë që vetë Rama si kryetar i partisë më të madhe do të vazhdojë betejën për të numëruar çdo votë që i përket partisë që ai drejton. "Jam kryetari i PS-së e cila në zgjedhje doli forca më e madhe në vend. Unë i kan të qarta detyrimet dhe radhët e punës sime. Sot detyrimi kërkon që unë dhe PS-ja të jemi të vendosur për të mos lejuar që ajo që ndodhi në 28 qershor, të përfunojë me grabitjen e mandateve tona dhe asgjesimin e një të drejte që na e jep ligji zgjedhor. Të tjerët mund të nguten, por mua nuk më lejohet", tha ai.
Ndërkaq duke iu referuar rivalit politik, Sali Berisha i cili ka shpallur tashmë fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, Edi Rama ka saktësuar se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me këtë maxhorancë e cila doli nga zgjedhje pa standarde. " Berisha të harrojë bashkëpuënimin me PS-në nesër nëse sot do qëndrojë në atë karrige me mandate të grabitura përmes uzurpimit të KQZ-së dhe trysinisë ilegale mbi Kolegjin Zgjedhor", saktësoi ai.
Prej ditësh brenda PS-së kanë filluar të dalin hapur zërat që kërkojnë dorëheqjen e kryesocialistit Edi Rama. Ben Blushi dhe Arben Malaj, tashmë jo vetëm këmbëngulin të pranohet humbja në zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe kërkojnë fillimin e garës brenda partisë për postin e kryetarit, por megjithatë deri më tani duket se lidershipi socialist është i vendosur të presë daljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›