E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Superfestë në aeroportin “Nënë Tereza” nga tifozë të Kombëtares e turistë të huaj

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas u gjallërua sot nga tingujt e këngëve dhe valleve popullore.

Kjo atmosferë e bukur u krijua nga tifozët kuqezi, të cilët pritet të udhëtojnë sot drejt Gjermanisë për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares shqiptare në EURO2024.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga atmosfera në aeroport, ku tifozë të të gjitha moshave kërcyen e kënduan nën ritmet e muzikës popullore.

Festës së tifozëve kuqezi iu bashkuan edhe turistë të shumtë, që kanë vizituar Shqipërinë dhe u ndodhën në aeroport.

“Superfestë në aeroportin “Nënë Tereza” nga tifozë të Kombëtares e turistë të huaj”, shkruan Rama.

Në Mynih të Gjermanisë nis sonte në mbrëmje Kampionati i 17-të Evropian i futbollit. Për Shqipërinë është hera e dytë që kualifikohet në Kampionatin Evropian, pas atij të 2016. Ekipi kuqezi do të ndeshet nesër me Italinë në orën 21:00 në stadiumin “Signal Iduna Park”, në Dortmund.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›