E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Të përndjekurit që kanë bërë burg kanë marrë të gjithë dëmshpërblimin

TIRANË 26 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh kryeministri Edi Rama në takimin me komunitetin shqiptar në Nju-Jork, foli për rregullimin e kullës së Prek Calit, kërkesë e një bashkatdhetari në SHBA.

Rama gjithashtu foli edhe për të përndjekurit, duke u shprehur se ishte qeveria e PS ajo që iu dha pagesën e dëmshpërblimit të gjithë të përndjekurve që e kanë bërë vetë burgun.

“Për sa i përket çështjes së kullës së Prek Calit unë e di historinë shumë mirë dhe ne jemi 100% në mbështetje. Vetëm një pyetje kam unë: Po si nuk jua bënë atë kullë 30 vjet antikomunistët? Se më antikomunist se Prek Cali zor se gjen në historinë e atyre anëve, apo jo? Po s’jua bënë! Ta them unë pse? Se nuk janë antikomunistë! Janë vetëm shpërdorues të besimit dhe abuzues të plagëve të të gjitha familjeve që kanë vuajtur realisht nën diktaturën komuniste, kur ata ishin diktatura”, tha Rama.

Prandaj, theksoi Rama, “nuk kanë bërë asgjë në të gjitha vitet që ishin në pushtet, as për të përndjekurit politikë, që i lanë të vdesin një pjesë të madhe pa iu dhënë dëmshpërblimin, ndërkohë që ne ndaluam çdo dëmshpërblim për këdo tjetër në emër të gjyshit apo të axhës së përndjekur dhe thamë, do ia japim njëherë të gjitha lekët atyre që janë gjallë, pastaj të tjerëve”.

“Sot që flasim, ta them me krenari, që nuk ka një të përndjekur politik që e ka bërë burgun vetë, jo që nuk ka qenë vetë, por që e ka bërë burgun vetë, që e ka pasur vetë në kurriz diktaturën dhe që është gjallë dhe që nuk i gëzon lekët e dëmshpërblimit. Nuk ka një”, tha Rama.

“Kurse më përpara jepeshin fondet për të përndjekurit dhe pastaj një pjesë të fondeve e merrnin komshinjtë që ishin kushërinjtë e deputetit antikomunist që kishte shkuar në parlament dhe që nga një anë tundte flamurin e antikomunizmit, nga ana tjetër shihte vetëm hesapet e shtëpisë së vet, siç po e shihni që po dalin një nga një nga puseta e mbyllur e korrupsionit ato që janë aty poshtë në ujërat e zeza të korrupsionit”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›