E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama Te rikthehet besueshmeria e KQZ-se

Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste, deklaroi pas takimit me zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, dhe ambasadorin amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu, se është “e domosdoshme rivendosja e besueshmërisë së humbur së KQZ-së”.

“Ishte një shkëmbim opinionesh i frytshëm në lidhje me gjendjen paraelektorale dhe me zhvillimet në rajon. Në lidhje me “rrëmbimin e KQZ-së” dhe praktikisht rrënimit të këtij institucioni, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të këtij institucioni që është kryesor në mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Rama. Në lidhje me dorëheqjen e Denar Bibës, kryetari i opozitës theksoi: “Biba nuk vjen nga radhët e PS-së dhe nuk është propozuar prej nesh. Ai me aktin e tij afirmoi integritetin moral dhe profesional në kundërshtim me cënimin e integritetit moral dhe profesional të anëtarëve të KQZ-së.” Takimi Rama-Moore-Arvizu është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste dhe vjen pas zhvillimeve të fundit që kanë lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një atmosferë të ngarkuar u shkarkua nga detyra Ilirjan Muho, anëtari i LSI-së në KQZ, duke marrë 73 vota në Kuvend. Mazhoranca u arrit sërish përmes votave, që ish-deputetët e së majtës bashkuan sërish me qeverinë. Dritan Prifti, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, me gjithë përpjekjen e ish-kolegëve të tyre të grupit parlamentar socialist, i dhanë votën pro propozimit të demokratëve për të larguar nga KQZ anëtarin e propozuar nga LSI. Arvizu i bëri apel mazhorancës se SHBA-të ishin kundër ndryshimeve anti-ligjore në KQZ. Ambasadori kërkoi respektimin dhe lejimin e funksionimit të KQZ-së jashtë çdo ndërhyrje politike, përfshi këtu edhe Parlamentin. “Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ajo që kemi theksuar në mënyrë konseguente dhe të përsëritur është apeli për të gjithë personalitetet, për të gjitha institucionet, për njerëzit në Qeveri, për njerëzit në opozitë, të veprojnë në mënyra që rrisin besimin e njerëzve, besim jo tek rezultati, por tek procesi, në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. KQZ është institucioni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, është me rëndësi që pavarësia e këtij institucioni të respektohet. KQZ duhet të jetë e lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje nga ndonjë individ, nga ndonjë institucion dhe këtu përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Pra, është një thirrje shumë e thjeshtë dhe bazike që e kemi bërë dhe ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit është pikërisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin për të cilin flasim”, tha Arvizu. Top Channel e pyeti ambasadorin amerikan, nëse ndryshimi i rregullave të lojës është shkelje e çdo kufiri nga maxhoranca. Arvizu dha këtë përgjigje: "Nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar; sepse synimi këtu, objektivi janë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E gjitha ka të bëjë me procesin, nuk ka të bëjë me rezultatin”.            

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›