Rama: Veliaj të vijojë procesin i lirë, vendimi i Kushtetueses tregoi se s’ka kapje të drejtësisë nga qeveria

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mbajtur në detyrë Erion Veliajn si kryetar i bashkisë Tiranë për Kryeministrin Edi Rama është sinjal se akuzat për kapje të drejtësisë nga qeveria janë të pabaza.
Në një reagim në rrjetin social X, kreu i qeverisë theksoi se ky vendim rrjedhimisht duhet të sjellë dhe lirinë e kryebashkiakut të burgosur, i cili prej 10 muajsh ndodhet në qeli.
“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo”, shkruan Rama.
Sipas Ramës, burgosja e Veliajt dhe njëkohësisht mbajtja e detyrës është një dëm që i vjen Tiranës.
“Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo”, shkruan kryeministri.
Reagimin e tij kryeministri e mbylli me një kërkesë për të zgjidhur ngërçin e kryeqytetit.
“Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqytetu nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë”, përfundon Rama.
Erion Veliaj u arrestua me 10 shkurt me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme nën një sërë akuzash për korrupsion dhe fshehje të pasurisë. Teksa bashkia e Tiranës u drejtua nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, në Asamblenë e 11 shtatorit shefi i ekzekutivit lajmëroi zgjedhjet vendore, të cilat nuk u zhvilluan pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi fillimisht dekretin e presidentit e më pas shkarkimin e Erion e Veliajt./vizioplus.tv