Rama: Vendet anëtare të BE, mbështetje pa ekuivok planit për mbylljen e negociatave brenda 2027-ës

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se plani i përbashkët strategjik me Komisionin Europian për t’i përfunduar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2027, ka marrë një mbështetje të plotë pa asnjë ekuivok nga të gjitha vendet anëtare.
I pranishëm në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, Rama u shpreh se kjo do t’i hapë rrugë ratifikimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në parlamentet e vendeve anëtare.
“Ne jemi kthyer së bashku me ministrin mbrëmë shumë vonë nga Brukseli ku kemi marrë një ndjesi jashtëzakonisht pozitive jo vetëm për faktin që kaluam në një kryestacion të negociatave për anëtarësim në BE, duke hapur edhe një grupkapitull tjetër, por mbi të gjitha për faktin se plani i përbashkët strategjik me KE-në për t’i përfunduar negociatat për anëtarësim në BE brenda vitit 2027 dhe për t’i hapur rrugë ratifikimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në parlamentet e vendeve anëtare, ka marrë një mbështetje të plotë pa asnjë ekuivok nga të gjitha vendet anëtare”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “kjo na bën të besojmë se ambicia për ta ngjitur Shqipërinë e 2030, në atë majë të shumëndërtuar dhe të shumëpritur për të gjithë kombin, është e mbështetur”.
“Kjo na bën të besojmë shumë fortë se ambicia për ta ngjitur Shqipërinë e 2030, në atë majë të shumëndërtuar dhe të shumëpritur për të gjithë kombin është e mbështetur jo thjesht në një dëshirë të madhe, por në realitetin objektiv të gjithë kësaj marrëdhënie që ia kemi arritur të krijojmë me Europën dhe të gjithë transformimin që kemi arritur të bëjmë për Shqipërinë në pozicionimin e vetë ndërkombëtar”, u shpreh Rama.