Rama: Xhamia e Namazgjasë, në koleksionin e xhamive më të bukura të kohëve moderne

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Xhamia e Namazgjasë do të hyjë në koleksionin e xhamive më të bukura të ndërtuara në kohët moderne.
Në një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Turqisë, Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan Rama u shpreh se, inaugurimi i Xhamisë së Madhe të Namazgjasë do të jetë një gëzim i posaҫëm për Presidentin Erdogan sepse, shtoi Rama, “jo vetëm ishit zëri i komunitetit të besimtarëve myslimanë shqiptarë përpara komunitetit mysliman turk duke garantuar mbledhjen e mjeteve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, por keni qenë në ҫdo rast kur jemi takuar shumë i vëmendshëm dhe këmbëngulës për të parë këtë ditë sot”.
“Jam i bindur që ju në Turqi keni xhami shumë të bukura, por ajo xhami që do të shihni sot do të hyjë në koleksionin e xhamive më të bukura të ndërtuara në kohët moderne”, tha Rama.
Rama u shpreh se pa diskutim që kjo është në radhë të parë merita e Presidentit Erdogan.
“Sepse e mbaj mend shumë mirë, jemi takuar për herë të parë dhe në fund të takimit kur unë erdha kryeministër i sapozgjedhur në Shqipëri, ju bëtë atë dorën kështt nga dera dhe erdhi projekti dhe më thatë ky është projekti i vëllazërisë shqiptaro-turke”, tha Rama.
“Unë kisha vërejtje për projektin dhe ju më thatë projektin po ta lë ty sesi do duket, xhaminë dua të vij ta hap me ty. Dhe pas pak unë do t’ju shoqëroj me shumë kënaqësi dhe shumë i nderuar sepse të gjitha ikin, por shtëpitë e besimit mbeten edhe kur emrat tanë përveҫ tuajit të harrohen”, iu drejtua Rama, Presidentit Erdogan.