“Rama anuloi fjalimin në protestë”, Berisha akuza edhe Gjykatës Kushtetuese: I ndërpreu paligjshmërisht mandatin Sonila Bejtes

Për kryedemokratin Sali Berisha, çdo protestë apo qëndrim i kryeministrit Edi Rama për Kosovën është një hipokrizi dhe akt propagandistik.
Nëse e kundërta do të ishte e vërtetë, sfidon Berisha, shumica do të votonte në Kuvend rezolutën e propozuar nga PD-ja për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“A u kujtohet ju slogani i tij për Mitrovicën dhe veriun e Kosovës? Toka e askujt. Reminishencë kjo e qarqeve antishqiptare se sa herë donin të ndanin dhe copëtonin trojet shqiptare nxirrnin në tavolinë teorinë e tokës së askujt. As Millosheviçi nuk e kishte thënë këtë toka e askujt,” deklaroi kryedemokrati.
Por si është e vërteta e thirrjeve për Sali Berishën në stadiumin serb?
“E dëgjuat ju vetë Taon? E vërteta është se në stadiumin e Leskovcit, i mbushur me ultranacionalistë të përzgjedhur nga Vuçiçi, për t’u dhënë zemër lojtarëve të vet, ka shpërthyer me histeri thirrjet Sali Berisha, Sali Berisha. Vetëm e vetëm që të motivonin lojtarët e ekipit kombëtar. Dhe çfarë thoshte ai? Serbët na fyejnë ne duke na thënë Sali Berisha. I shihni ju çfarë vasalësh janë këta? Tao thotë në parlament se serbët na fyejnë ne duke na thënë Sali Berisha. E kuptoni se çfarë skllevërish janë këta, qenie të shpërfytyruara. Në fakt ndeshja u fitua dhe për herë të parë Serbia humbi, mori atë që meritonte në tokën e vet,” tha. ai.
Edhe në këtë komunikim me medien, Berisha kërkoi dorëheqjen e presidentit Bajram Begaj si shkelës i kushtetutës, ndërsa paralajmëroi nismën e PD-së për hetim ndaj tij.
“Ndjekja penale dhe ‘impeachment’ janë dy procedura të ndryshme, por unë e ftoj prapë të reflektojë, në qoftë se i ka ngelur edhe një kuant i integritetit njerëzor, të largohet menjëherë nga ajo detyrë se e ka turpëruar në mënyrë skandaloze,” theksoi Berisha.
Berisha e akuzoi Begajn si pjesë e asaj që e quan “puç kushtetues” për të ndërprerë para afatit mandatin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/