Rama bashkëbisedim online: Detyra ime të komunikoj dhe të dëgjoj qytetarët, zgjedhjet proces bilancesh

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot pyetjeve të qytetarëve në platformat sociale, në rubrikën “Sy m’sy”, duke u shprehur se është detyra e tij që të flasë, komunikojë dhe sqarojë qytetarët për punët e bëra nga kjo qeveri.
“Puna ime nuk është punë krahu, është punë mendjeje. Një nga detyrat e mia është të komunikojë, të sqarojë, të dëgjojë dhe të reagojë. Dhe kjo për mua është punë, jo qejf. Nuk jam TikTok-ist, unë jam një përfaqësues i zgjedhur edhe i atyre që nuk më kanë zgjedhur dhe iu detyrohem, si në rastin konkret, edhe pse je shumë i helmuar gabimisht, sepse në fund të ditës nuk mund të jetë çdo gjë zi, zi, zi dhe pse mund të ketë arsye për të qenë të pakënaqur. Në fund fare, unë kam detyrimin të komunikoj edhe me ty dhe të të shpjegoj gjërat sipas mendimit tim, dhe të të jap hesap. Duke u afruar dita e zgjedhjeve kam vendosur të intensifikoj daljet, komunikimin, sepse procesi deri në zgjedhje është proces bilancesh dhe vendosjeje në tryezë të të gjitha gjërave që janë gatuar gjatë katër viteve për të bërë edhe komentet përkatëse dhe për të përcaktuar ka apo s’ka arsye për të vazhduar këtë punë në këtë drejtim me këto forca. Se tani është bërë edhe një koalicion shumë i madh”, tha Rama.
Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, Kryeministri iu përgjigj një komentuesi lidhur me çështjen e besimit fetar.
“Pasuria e dijes fetare është kulturë dhe aty janë rrënjët e shumëçkaje. Për këtë arsye unë jo vetëm kam shumë respekt për të gjitha fetë dhe kam shumë admirim për librat e shenjtë. Me timen përpiqem të marrë sa të mundem nga pasuria e asaj dijeje. Rilindasit lanë mënjanë fetë dhe u bashkuan për të bërë Shqipërinë, në sensin përtej besimeve u bashkuan. Por një gjë po të them, i dashur Gëzim, nuk të vjen e keqja nga fjalët e librave të shenjtë. Është pasuria e një dijeje shumë të thellë dhe më mirë një fjali nga ato libra, sesa mijëra llafe nga këneta politike dhe mediatike”, vijon Rama.
/r.e//a.f/