Rama flet për marrëveshjet me Italinë: Mbrojtja dhe energjia, prioritetet kryesore

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për mediat italiane gjatë vizitës së tij në Itali, ku mori pjesë në mbledhjen e parë ndërqeveritare Shqipëri-Itali, që u zhvillua më 13 nëntor. Në një intervistë për gazetarin Bruno Vespa, Rama theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të nënshkruara, duke përmendur veçanërisht ato që lidhen me mbrojtjen dhe energjinë, si dhe projektet për luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe forcimin e sigurisë.
Kryeministri shqiptar u shpreh se bashkëpunimi në sektorët e mbrojtjes dhe energjisë është një hap i rëndësishëm, duke veçuar projektin e ndërtimit të linjës së interkoneksionit energjetik mes Shqipërisë dhe Italisë, i cili do të përfshijë edhe shtete si Rumania, Bullgaria dhe Greqia. Sipas Ramës, këto projekte janë thelbësore për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe për avancimin e stabilitetit në rajon.
Sa i përket çështjes së emigracionit, Rama nënvizoi se nga qershori i vitit të ardhshëm pritet një përgjigje nga Bashkimi Europian për të zhbllokuar këtë proces dhe për t’i dhënë shteteve më shumë fleksibilitet në menaxhimin e emigrantëve. Ai gjithashtu përmendi marrëdhëniet speciale mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se Tirana ka refuzuar mundësitë e tjera për të punuar me shtete të tjera mbi këtë çështje, duke ruajtur ekskluzivitetin e marrëdhënies me Italinë.
Në lidhje me situatën në Ukrainë, Rama theksoi nevojën për një plan paqeje nga ana e Europës, duke shtuar se është e rëndësishme që të krijohet një ide të qartë për mbylljen e konfliktit, pa hequr asnjëherë mbështetje për Ukrainën. Ai theksoi se Europa duhet të veprojë shpejt dhe të mos bëhet pjesë e një inertie që mund ta vendosë atë përpara një fakti të kryer që do të dëmtonte interesat e saj.
Përsa i përket ministrës virtuale Diellën, Rama theksoi rolin e saj në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke theksuar se ajo ka si detyrë të bëjë proceset më të shpejta, transparente dhe të pakta në ndikimin e subjektivitetit njerëzor, sidomos në prokurimet publike.
Gjatë mbledhjes ndërqeveritare Shqipëri-Itali, që u konsiderua një moment historik për të dyja palët, u nënshkruan gjithsej 16 marrëveshje të ndryshme, që synojnë thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fusha të ndryshme.