E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama fton emigrantët në Itali: Kthehuni në një Shqipëri që është ndryshe nga ajo kur ikët

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot nga Milano shqiptarët që jetojnë në Itali të kthehen në Shqipëri.

“Kam një ftesë për t’u bërë të gjithë shqiptarëve që punojnë në hoteleri turizëm këtu apo në Europë. Informohuni vetë drejtpërdrejt jo nga ekranet e kanalet e mbushur me vrer politike e lajme të rreme”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “informohuni sa janë pagat në sektorin e shërbimeve në Shqipëri sa merr dikush që punon në hoteleri e secili e bën vetë llogarinë kush vjen i armatosur me dijen e aq shumë profesion e zanate që zhvillimi i Shqipërisë ka shumë nevojë është i fituar”.

Më tej Rama tha se “ndryshe nga ata që vijnë nga deti, ajri dhe që Shqipëria i mikpret, ju vini sot në një Shqipëri që është ndryshe nga ajo kur ikët nga sytë këmbët. Ajo është e tillë, ka edhe shumë mundësi për këdo që kthehet me dijet, eksperiencën, kursimet e veta dhe duke pas mësuar guximin do të fitojë për veten dhe familjen. Ai që do të kthehet më shpejt do ketë më shumë vite në paqe për shpirtin e ndarë më dysh. Sot e keni të mundur t’u përkisni të dyjave, Shqipërisë edhe Italisë. Edhe këtu edhe atje. Askush më mirë se ju nuk ia di fjalës ‘punë, dije, parasë së fituar dhe kursyer me shumë sakrifica’. Ndaj askush më mirë se ju nuk do ia dilte me mund, punë. Duke investuar me vendin që ju nxori në det, por që është dhe do të mbetet atdheu. Koha e Shqipërisë ka ardhur. Me punë, mund e guxim ia arritët”.

“Sot në Shqipëri jetojnë afro 20 mijë italianë dhe numri i tyre rritet çdo javë. Afro 1 mijë të reja e të rinj studiojnë në Shqipëri, numri i bizneseve italaine është rritur dhe po afron 3 mijë gjithnjë e më shumë italianë vijnë në Tiranë për fundjavë”, tha Rama.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›