Rama inspekton Qendrën “Smart City”, monitorim inteligjent për shkolla më të sigurta

Kryeministri Edi Rama inspektoi Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit “Smart City”, një sistem i ri monitorimi që, përmes Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë së avancuar, synon të transformojë sigurinë publike në Shqipëri sipas standardeve më të avancuara evropiane.
Gjatë prezantimit të projektit, Rama u njoh nga afër me funksionimin e sistemit të integruar të monitorimit, i cili analizon në kohë reale situatat e rrezikut dhe sinjalizon automatikisht institucionet përgjegjëse për të ndërhyrë përpara se një ngjarje të marrë pasoja.
“Smart City” është një investim që e afron Shqipërinë me modelet më moderne europiane të sigurisë. Një nga komponentët kryesorë të projektit është përfshirja e 20 shkollave të Tiranës, të cilat do të monitorohen me kamera inteligjente.
Sistemi është në gjendje të identifikojë situata të ndryshme rreziku, si mbajtja e armëve të ftohta apo armëve të zjarrit, konsumimi i duhanit, konfliktet mes nxënësve dhe sjellje të tjera problematike. Pas identifikimit të një rreziku të mundshëm, sistemi dërgon sinjal në kohë reale te institucionet që kanë akses në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se Inteligjenca Artificiale është projektuar për të identifikuar në kohë situatat me potencial rreziku dhe për të mundësuar ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë së Shtetit.
“Inteligjenca është projektuar të identifikojë situata të mundshme rreziku dhe t’i parandalojë ato në kohë, duke sinjalizuar drejtpërdrejt Policinë. Në fazën e parë janë përfshirë 20 shkollat më të frekuentuara në Tiranë, të përzgjedhura mbi bazën e numrit të nxënësve dhe problematikave të raportuara”, deklaroi Lamallari.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se kamerat inteligjente do të vendosen në korridoret e shkollave dhe do të shërbejnë si një mekanizëm parandalues.
Sipas saj, sistemi do të evidentojë shenjat e para të tensioneve apo konflikteve, duke i dhënë mundësi stafit të shkollës të ndërhyjë menjëherë, përpara përshkallëzimit të situatës.
“Kamerat inteligjente do të monitorojnë korridoret e shkollave dhe do të sinjalizojnë paraprakisht nëse krijohet një situatë tensioni, në mënyrë që ndërhyrja e parë të bëhet nga vetë shkolla. Ato do të jenë në funksion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”, tha Kumbaro.
Projekti “Smart City” synon të krijojë një sistem modern sigurie, ku teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale do të ndihmojnë jo vetëm në monitorimin e hapësirave publike, por edhe në parandalimin e ngjarjeve që cenojnë sigurinë e nxënësve.
/rtsh.al/