E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh kryesinë e PS, pritet të diskutohet për zgjedhjet për kryetar të partisë

Kryeministri Edi Rama mbledh mbrëmjen e sotme kryesinë e PS, në të dytin takim brenda 24 orëve. Takimi do të mbahet në orën 20:00, në selinë e PS, ku pritet që të diskutohet për zgjedhjet për kryetar të Partisë Socialiste. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së PS në 6 shtator u caktua ngritja e një grupi pune për kohën e zgjedhjeve në parti, kjo për shkak të mbarimit të mandatit 4-vjeçar të Edi Ramës si kryetar partie në 26 shtator.

Sipas statutit, mandati katër vjeçar i kryetarit të Partisë Socialiste është në përfundim, ndaj kryesia vendosi të ngrihet një grup pune që do të propozojë kohën e përshtatshme se kur do të zhvillohen zgjedhjet në parti- pati sqaruar zyra per shtyp e PS.

26 shtatori i 2009-ës ishte dita kur Edi Rama u përball me Maqo Lakrorin për drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend, zgjedhje të cilat i fitoi me afro 90% të votave.
Afrimi i datës 26 shtator duhet ti hapë rrugë përgatitjes për zgjedhjet e reja në PS, pasi statuti i PS sanksionon se mandati i kryetarit të PS është 4 vjet. Organi i parë që ngarkohet për zgjedhje është Asambleja Kombëtare.

Neni 27 i statutit të socialistëve përcakton se kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant. Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditësh dhe thërret brenda 30 ditësh Kongresin e jashtëzakonshëm të partisë për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të partisë, e cila nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit.

Siç pritet, Edi Rama do të rikandidojë për kryetar të PS dhe kjo do të jetë gara e tij e pestë dhe mandati i tij i katërt.

Në vitin 2003, në pozicionin edhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama kandidonte për herë të parë në Kongres përballë kryetarit të atëhershëm, Fatos Nano dhe ish-presidentit Rexhep Mejdani, garë të cilën ai do ta humbiste, pasi përballë kishte kryetarin dhe kryeministrin e vendit.

Dy vjet më vonë, në vitin 2005, ai do të provonte sërish përballë ish- presidentit Rexhep Mejdani, të cilin do ta mundte me një diferencë të konsiderueshme.

Mandati që mori në vitin 2005 për Ramën nuk do ishte i plotë, por plotësues i mandatit të lënë për gjysmë nga Nano. Ndaj në vitin 2007, pasi ishin kryer edhe ndryshimet e nevojshme statutore, PS-ja zhvillon sërish zgjedhjet për kryetar të saj, por kësaj here direkt nga anëtarësia sipas parimit një anëtar një votë.

Në zgjedhjet e 12 majit të atij viti, Rama mori mandatin e plotë të tij si kryetar i PS-së, përballe Shkëlqim Metës.

Këtë mandat Rama do ta mbante vetëm 2 vjet, pasi në vitin 2009 ai do të humbiste zgjedhjet e përgjithshme dhe një klauzolë në statutin e PS e detyron kryetarin të dorëheqjen në rast se humbiste zgjedhjet.

Rama u dorëhoq dhe do të rikandidojë sërish në zgjedhjet e 26 shtatorit, të cilat i fitoi bindshëm përballë Maqo Lakrorit.

Mbledhja e sotme vjen një ditë pasi kryesocialisti Rama zhvilloi një darkë pune në Durrës me anëtarët e Kryesisë së PS dhe disa nga krerët e bashkive të majta në vend. Takimi nisi rreth orës 21:00 dhe zhvillua pa praninë e mediave në një hotel privat tek Shkëmbi i Kavajës.

Në takim ishin pranishëm, zv/kryeministri Niko Peleshi, deputetët Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Blendi Klosi, Mimi Kodheli dhe Taulant Balla, si dhe kryebashkakët e Durrësit dhe Elbasanit, Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›