Rama mbledh qeverinë në Vlorë: Reforma rrënjësore, integritet, transparencë
Pas 10 ditësh reflektimi që u ka lënë në dispozicion Ministrave të tij, shefi i ri i maxhorancës Edi Rama do të zhvillojë sot rreth ores 15:00 mbledhjen e parë me të gjithë kabinetin e tij, vetëm pak metra larg dallgëve të detit, në plazhin e vjetër të Vlorës ku ka nisur dhe aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje.
E fiksuar në pasditen e 21 gushtit në një nga hotelet e qytetit bregdetar, mbledhja e Kryeministrit të ardhshëm dhe Ministrave të PS dhe LSI do të zgjasë 2 ditë, por deri më tani dhe për vetë kabinetin, detajet e mbledhjes janë të pakta.
Burime të Ora News thanë se në qendër të mbledhjes do jetë programi i ri qeverisës PS-LSI, ku secili nga anëtarët e kabinetit do të njihet me shtyllat emergjente që do vihen në zbatim me marrjen në dorëzim të qeverisë. Edhe vete shefi i se majtes Edi Rama e ka komnetuar takimin dy ditor ne rrjetin social facebook dhe twitter, ku shkruan:
“Vlore. Takim dy ditor i qeverise se re. Reforma rrenjesore, shpirt skuadre, qytetari europiane ne komunikim. Kurajo integritet transparence”.
Data 20 gusht, ishte përcaktuar si kohë e lënë në dispozicion të Ministrave të përzgjedhur, për të hartuar programin specifik të 100 ditëve të para të ekzekutivit të majtë dhe mësohet se gjatë këtyre ditëve Ministrat kanë hartuar projektin e diskastereve që do drejtojnë. Në këtë pikë, rëndësi të veçantë marrin ndarjet e strukturave.
Teme e nxehtë e mbledhjes duket se do jenë edhe punësimet në administratë, pasi Edi Rama ka këmbëngulur se rekrutimi i punonjësve në administratë të kryhet vetëm përmes konkurseve të forta.
Në mbledhjen e parë te Kryeministrit të ardhshem me Ministrat e rinj, jashtë diskutimeve nuk do të ngelet as kodi etik i Ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe që siç ka premtuar kryesocialisti bazohet në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike.
Ky është takimi i parë i kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, me të gjithë anëtarët e kabinetit. Një ditë pasi publikoi emrat e rinj të qeverisë, ai priti në selinë rozë për afro 1 orë Ministrat e rinj, por munguan ministrat e LSI.