E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama me Starmer: Koha të zgjidhet çështja e identitetit të dyfishtë për shqiptarët në Britani

Beteja kundër emigracionit të paligjshëm e rrjeteve kriminale që e stimulojnë atë, si dhe lufta në Ukrainë, kanë qenë dy temat në të cilën është fokusuar biseda në takimin mes kryeministrit britanik Keir Starmer dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun Starmer, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi progresin që kanë bërë dy vendet në luftën kundër emigracionit të paligjshëm falë task-forcës së përbashkët, duke e zbritur në disa qindra numrin e shqiptarëve që kanë hyrë në Britani paligjshmërisht, nga gati 12 mijë të tillë në vitin 2022.

“Në angazhimin kundër rrjeteve kriminale, kemi arsye të jemi shumë krenarë për punën që kemi bërë. Shifrat janë mbresëlënëse. Referimi në shifrat e këtij bashkëpunimi është gjëja e duhur për publikun britanik dhe jo kultivimi i miteve.

Në 2024, numri i shqiptarëve që kanë hyrë apo kanë tentuar të hyjnë paligjshmërisht në Britani është disa qindra. Në momentin kur kemi shtyrë përpara ngritjen e task-forcës së përbashkët arriti në 12 mijë në 2022 kur pati një fluks të madh.

Nga ana tjetër, dua të theksoj dhe një shifër që na bën përshtypje, kur thuhet se 1 në 50 shqiptarë është në burg në Britani. Gënjeshtër e madhe. Në të vërtetë shifra është 1 në 500”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se ka ardhur momenti për të shqyrtuar një tjetër problem që lidhet me shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë që kontribuojnë në ekonominë e jetën shoqërore në Britani prej më shumë se 20 vitesh, një pjesë posedojnë edhe identitetin shqiptar, edhe atë të Kosovës, për shkak se vite më parë shkuan atje me statusin e refugjatit të luftës.

“Shumë shqiptarë që kanë arritur e janë sistemuar në Britani, por në kohën e mbërritjes kanë përdorur identitet të Kosovës si refugjatë lufte. Ata sot jetojnë me dy identitete, një identitet për shtetin britanik dhe një identitet këtu në Shqipëri, dhe kanë problem të vazhdueshme.

Janë kontribuues në ekonominë e jetën shoqërore të Britanisë me shumë dinjitet. Janë 50 mijë shqiptarë me pasaporta britanike dhe 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare që kontribuojnë në shtetin britanik. Është e papranueshme për ne që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problem i Britanisë së Madhe”, theksoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›