E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama me ambasadorët: E mbyllim 2024-ën me një progres të jashtëzakonshëm në disa fusha

Kryeministri Edi Rama në darkën tradicionale të fundvitit me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri bëri një rezyme të të gjitha arritjeve të vitit që sapo lamë pas.

Rama tha se pavarësisht akuzave apo thashethemeve që thuhet për të apo qeverinë që ai drejton, faktet tregojnë se 2024 ka qenë një vit fantastik.

Sipas tij vendi  ka hyrë në ligën botërore të turizmit, borxhi publik është më i ulët se kurrë, si dhe Shqipëria ka rritur pagën mesatare në administratë.

“Thuhen vërdallë lloj-soj gjërash për qeverinë time, po, edhe pse jam shumë më tepër kritik me veten sesa dukem dhe e di që kjo nuk është aq e vështirë, jam po kështu krenar për gjithë punën që kam bërë me këta njerëz këtu.

Ky vit i tejkaloi pritshmëritë në nisje të tij dhe mund të themi se, së fundi, Shqipëria ka hyrë në fazën e grupeve të ligës botërore të turizmit, por ka hyrë për të qëndruar dhe për të ecur më tej.

Viti i ri do të fillojë me borxhin më të ulët publik, që kur kemi marrë detyrën dhe me parashikimin më të lartë të të ardhurave. Monedha jonë s’ka qenë kurrë më e fortë, inflacioni është në nivele normale dhe vëllimi më i madh i investimeve private që kemi pasur ndonjëherë, vendase dhe të huaja, është gati të hyjë në ekonominë e vendit ose në listën më të gjatë ndonjëherë. Paga mesatare e sektorit publik është afër nivelit tavan prej 1 000 eurosh dhe hendeku i pagave midis sektorit publik dhe privat po mbyllet më shpejt sesa parashikohej.

Ndërkohë, për herë të parë në historinë demokratike të vendit tonë, papunësia po shkon në prag të një niveli njëshifror dhe vitin që vjen, Shqipëria do të mirëpresë Komunitetin Politik Europian, një ngjarje e madhe, e jashtëzakonshme ndërkombëtare, që flet sa një mijë fjalë për imazhin e transformuar të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.

Kam edhe shumë më shumë për të thënë për vitin që po lëmë pas dhe ju e dini të gjithë, jam i sigurt, që jam më i miri për t’i zgjatur fjalimet deri në dhimbje… roli ynë, si anëtar të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pjesëmarrja jonë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, forcat tona të përbashkëta në fronte të ndryshme, moria e marrëveshjeve tona dypalëshe dhe, sërish, përparimi ynë i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e të tjera, të tjera, të tjera…

Po mos u shqetësoni, mund t’i përmbledh të gjitha shkurtimisht me një fjalë të vetme: Përkushtim! Përkushtim absolut ndaj vendit tonë, ndaj qytetarëve tanë, ndaj miqve dhe partnerëve tanë”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›