Rama me fituesit e startup-eve 2025: Rrisim financimin në proporcion me rritjen e aplikimeve

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një takim në Elbasan me vajza dhe djem të talentuar, fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantë për vitin 2026, me projekte premtuese në fushën e teknologjisë.
Kreu i qeverisë tha se teknologjia po e ndryshon rrjedhën e zhvillimit ekonomik dhe inovacionit, duke kaluar nga një ritëm linear në një zhvillim eksponencial. Ai theksoi se ajo që më parë merrte muaj të tërë për të prodhuar një pajisje të re, sot mund të bëhet brenda javësh.
Kryeministri shpjegoi se në epokën e zhvillimit linear, teknologjia dhe mjetet e reja shpesh arrinin fillimisht tek të pasurit, ndërsa më vonë tek të varfrit. Sot, diferenca nuk bazohet më tek statusi social apo vendndodhja gjeografike, por tek talenti, këmbëngulja dhe idetë.
“Teknologjia ka rritur shpejtësinë e zhvillimit, nga epoka të tëra zhvillimi linear, bota sot ka kaluar në zhvillimin eksponencial. Nëse deri dje edhe vetë teknologjisë për të gjeneruar smartfonin e ri i duheshin 300 ditë dhe nga një Apple në tjetrin duhej pritur shtatori tjetër, teknologjia sot po shkon në pikën që çfarë është e re në fillim të javës bëhet e vjetër në fund të javës.
“Nëse ne do të ishim në epokën e zhvillimit linear do ta kishim shume të vështirë që të parafytyronin transformimin dhe rritje që mund t’i parafytyrojmë sot si mundësi reale zhvillimin. Nëse në zhvillimin linear prodhoheshin makinat e shtypshkrimit, të cilat fillimisht i merrnin shtetet që ishin më të pasura, pastaj shkonin tek ata që ishin më të varfër, dhe kur tek ata që ishin më të varfër vinte ajo gjeneratë e prodhimit, tek ata që ishin më të pasur kishte ardhur gjenerata tjetër e prodhimit. Por me teknologjinë nuk ka më një diferencë të tillë. Nuk ka më pikë rëndësie se çfarë statusi social ke dhe jo vetëm se ku ndodhesh gjeografikisht por edhe se çfarë mjetesh financiare ke. Nëse ke talentin dhe këmbënguljen dhe pastaj dhe shkëndijën e një ideje që bën diferencën, je aty për të bërë sukses”, tha Rama.
Rama theksoi rëndësinë e mbështetjes së qeverisë në fazat e hershme të zhvillimit të ideve.
Duke iu referuar statistikave, Kryeministri tha se interesimi për programet e startup-eve ka shënuar rritje, teksa theksoi se do të bëhet një ekstra financim për aplikuesit me potencial.
“Natyrisht pjesa ku hyn nevoja për të pasur dikë pranë dhe në këtë rast është qeveria shqiptare është pjesa e atij financimi fillestar për të zhvilluar hapat e para të idesë. Këtu ne kemi nxjerrë një mësim nga kjo rritje e shpejtë e numrit të aplikimeve, që do të thotë se ne do të rrisim, për t’iu përgjigjur kësaj shpejtësie, edhe volumin e financimit.
“Duke bërë në parashikim të bazuar tek dy vitet e para, në 2024-ën ishin 442 aplikantë, në 2025-ën ishin 536, ne parashikuam dhe një fond që të rritej po kështu. Duke u gjendur përballë 1219 aplikantëve ne do të duhet t’u japim një mesazh të gjithë atyre që kanë aplikuar, se ne nuk do të kufizohemi tek numri i fituesve të parashikuar sipas shifrave të dy viteve të kaluara, por do të bëjmë një ekstra financim në javët që vijnë dhe do të financojmë dhe aplikues të tjerë mbi këtë shifër, duke u munduar që ta rrisim financimin, po aq sa ç’është rritur dhe numri në proporcion, me kushtin që këto aplikime të jenë të konsideruara nga komisioni përgjegjës si aplikime me potencialin për t’u mbështetur financiarisht dhe për t’u zhvilluar më tutje”, tha ai.
Aktualisht në vendin tonë ka arritur në 3 mijë e 300 numri i kompanive të regjistruara, me mbi 21 mijë specialistë që punojnë në këtë sektor, ndërkohë që paralelisht është rritur me 15% edhe numri i studentëve të regjistruar në degët që kanë të bëjnë me teknologjinë digjitale.
/m.q/r.e/