Rama me “tri petale nga trëndafili socialist”: Detyra e të rinjve të angazhohen për ta bërë vendin më të mirë

TIRANË, 8 mars/ATSH-Maela Marini/ Edjon Maliqi, Anastasia Zaimi dhe Helena Kaçe ishin tre të rinj, pjesëmarrës në Kuvendin Rinor Kombëtar të Partisë Socialiste, të cilët ishin të ftuar sot në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
“Tri petale nga trëndafili socialist” titullohej podkasti i sotëm, ku të rinjtë përcollën në bashkëbisedim me kryeministrin vizionet e tyre, duke ofruar po ashtu këndvështrime të ndryshme mbi mënyrën se si e konceptojnë të ardhmen.
Edjoni, Anastasia dhe Helena folën fillimisht mbi përjetimet nga reagimet me të cilat u përballën në rrjetet sociale pas fjalimeve të tyre në Kuvendin Rinor.
Për Edjonin, i cili pas përfundimit të studimeve për Administrim-Biznes në Tiranë ka zgjedhur të kthehet në Përmet, edhe pse u ndesh me reagime jodashamirëse, madje dhe tallëse pas atij fjalimi, i rëndësishëm, sipas tij, mbetet fakti që promovoi atë që qyteti i lindjes ofron.
Ndërsa Anastasia, maturante nga Bilishti, tregoi se problematika do të ekzistojnë gjithmonë, por është me rëndësi që ato të evidentohen.
“Reagimet në këto situata janë të pritshme sepse po del në një Kuvend në Pallatin e Kongreseve. Nuk jam kaq afër medias në përgjithësi dhe politikës më në veçanti, ndaj ishte një dalje që solli një vëmendje të madhe”, tha Anastasia, e cila është po ashtu kryetare e Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë.
E pyetur nëse e konsideron angazhimin në politikë në të ardhmen, Anastasia u shpreh se ka qëllime më të qarta lidhur me karrierën dhe studimet dhe nuk dëshiron që ta kthejë këtë në synim parësor.
Ndërkohë, kryeministri Rama u shpreh se angazhimi në politikë në rastin e një të riu është thjesht angazhim qytetar dhe nuk ka të bëjë mirëfilli me një karrierë politike. “Sa më shumë ti ta shtysh atë (politikën), të bësh sikur nuk e do, aq më shumë do të biesh brenda me atë marrëdhënien me politikën, dhe aq më befasisht do ta gjesh veten të përfshirë”, iu drejtua Rama.
Ndërkohë Helena, e cila studion për Informatikë, u shpreh se nuk i përjetoi shumë mirë reagimet pas fjalimit të saj në Kuvendin Rinor.
“Nuk e parashikova që do të flitej aq shumë edhe në panele të ndryshme televizive. Ajo që po ndodh me daljet publike të të rinjve është bërë si arenë gladiatorësh ku luftëtarët politikë, opozita në këtë rast, nuk bën gjë tjetër veçse i lufton dhe i bën gjyq publik. Kjo pjesë e njerëzve ndoshta e kanë humbur dhe vazhdojnë ta humbasin betejën me komunizmin brenda tyre”, tha ajo.
Për Helenën nuk është gjë e bukur që në demokraci, kur dikush flet atë që mendon të sulmohet. Ndaj, sipas saj, ka akoma vend për të edukuar shoqërinë, sepse ka shumë mllef dhe të rinjtë duhet të jemi shembulli për të sjellë një qasje tjetër në politikë.
“Nuk kishte më aq shumë sy që më panë me aq dashamirësi sa në fillim. Disa shoqe të miat më dolën kundër për disa fjalë që nuk gjenin veten dhe u preka. Por në fund të ditës e kalova pasi nuk iki larg bindjeve të mia. Për mua PS ka bërë shumë për vendin tim. Është detyra e të rinjve për ta bërë vendin më të mirë”, tha ajo.
Duke folur mbi reagimet që ngjallën fjalimet e të rinjve në Kuvendin Rinor, Kryeministri Rama tha se nuk ka parë gjë më të neveritshme se ai helm që u hodh.
“Por ju kam thënë, kjo është betejë që në momentin që vendose të nxjerrësh hundën jashtë derës së shtëpisë tënde dhe ta futësh në problematika të ndryshme. Por në atë moment hedh hapin e parë për të qenë një qytetar i mirë. Sot, në kushtet e një jete me rrjete sociale, është e pamundur të pretendosh se do të lënë rehat”, tha Rama.
/r.e/