E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mes Pez

• Martin LekaFjalim patetik. I ngjashëm me fjalën në komisionin parlamentar hetimor. Apo i ngjashëm me një fjalim ku rrëzoi mikrofonat e nga goditjet me grushte mbi katedër.Kështu mund të perifrazohet me pak fjalë ai fjalim i kryetarit të PS-së në përvjetorin e krijimit të organizatës së saj rinore, FRESSH. Eshtë bërë e rëndomtë, madje gjer në bezdi slogani i njohur i liderit socialist mbi politikën e re, term i cili ende ka mbetur “flu”, i paqartë dhe përgjigjen e saktë për të ende nuk e ka dhënë njeri deri më sot. As vetë Rama. Madje, në të gjitha intervistat e opinionet, edhe liderë të tjerë socialistë, pyetjes se çfarë kuptojnë me politikën e re, i shmangen ose me pëshpëritje, ose me citim frazash pa kuptim, sikur të kishin arra në gojë?!...Kryetari socialist u shfaq dje me një fjalor e performancë të ashpër, me të bërtitura gjer në çjerrje. (Ka anatemuar për këtë lloj performance shpesh Berishën, por dje, tregoi se edhe ai, nëse vazhdon me këtë ritëm, do na i trembë fëmijët sa herë të dalë në ekran?!) Ndoshta i ekzaltuar nga një sallë me të rinj dhe me dekor “Pub”-i, ai përsëriti si një kalorsiak besimin në triumfin e politikës së re 17-vjeçare.Por, ndërsa fliste si politikan dhe për politikë, kryetari i PS-së tha atë që nuk mund ta thotë kurrsesi një politikan. “Unë nuk jam politikan”, tha kryetari i partisë më të madhe të opozitës, në një takim politik të një forumi politik (partiak). Mund të justifikohet me çfarëdolloj mënyre te ndonjë naiv, ndoshta duke e konsideruar si figuracion, por kurrsesi një deklaratë e tillë publike e një kryetari partie, nuk mund të justifikohet e nuk mund të konsumohet nga anëtarët e partisë-të paktën! Anëtarët e partisë, militantët, e kanë dhënë votën partiake dhe pëlqimin e tyre për postin e kryetarit të partisë, pikërisht për besimin si politikan, jo si njeri që flet apo bërtet bukur, që vishet apo zhvishet bukur… Përndryshe, anëtarët e Partisë Socialiste mund të zgjidhnin fare mirë, për shembull, në krye të partisë “socialisten nga Berati”. Ajo të paktën krijoi idenë dhe imazhin që duhej të kishte në të vërtetë politika partiake e më gjerë mbase: atë të solidaritetit, ç’ka është një lloj boshti ideologjik i së majtës. Çështja e dytë që doli nga patetika e Ramës dje, ishte ajo që ka të bëjë me konsensusin apo bashkimin, terma që për hir të së vërtetës, përmbanin mjaft ngarkesa nga njollat e së kaluarës. Nga Fronti Demokratik i dikurshëm, për shembull. A nuk ka njëfarë ngjashmërie me këtë organizatë masash, ajo që tha dje kryesocialisti: “Të bashkohemi majtas e djathtas….”?! Apo ndoshta ngjan me Konferencën e Pezës?! Të rinjtë socialistë janë një forum politik, partiak dhe çdo sjellje tjetër, edhe pse në ekstazën e brohoritjeve, fishkëllimave apo dritave për t’i bashkuar apo njësuar me rivalët apo partnerët e tyre politikë, është e papranueshme. Edhe ata vetë nuk besoj e kanë marrë seriozisht kryetarin e tyre, pasi në të kundërt, do të dëmtohej rëndë themeli i demokracisë: pluralizmi. T’i orientosh politikat në këtë farë feje, me fjalë e fraza “pa doganë”, është njëlloj sikur forumet partiake t’i konsiderosh si OJQ, në të cilat nuk ka kurrfarë rëndësie koncepti partiak ose t’i konsiderosh si shoqata ambientalistësh…Eshtë e vërtetë që opozita ka ndërmarrë nisma në prag të Samitit të Bukureshtit, nisma që kanë në themel konsesuse të mëdha për reforma politike e administrative, por kryetari socialist, përpara se të bëjë këtë, përpara se t’u bëjë thirrje të rinjve për bashkim majtas e djathtas pa dallim, do të ishte mirë të realizonte konsesusin politik brenda vetë partisë së tij. Të gjithë e dimë se brenda partisë ka ende një hendek jo të vogël, i cili ka të bëjë me një pjesë të socialistëve, të ashtuquajtur “Nanoistë”, të cilët kryesocialisti i sheh si e keqja më e madhe e tij dhe e partisë. …Nuk po e zgjasim më shumë, pasi po të flisnim për sjelljen e Evropës këtu, do t’i detyronim evropianët të pajiseshin me kundërgaz përpara se të kalonin tabelën “Mirë se vini në Tiranë”…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›