Rama mesazh për opozitën: Të punojmë bashkë për integrimin europian

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh për opozitën gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar.
Rama u bëri thirrje kundërshtarëve të tij politikanë që të bëhen bashkë për krijimin e një shteti europian në Shqipëri dhe tha se në këtë rrugë qëllimi është i përbashkët.
“Thirrja ime sot për të gjithë ata që janë kundër nesh është shumë e thjeshtë. Ne nuk ju ndryshojmë dot, ndaj luftën politike vazhdojeni si ta mendoni ju, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një vend pune të përbashkët me aletët tanë strategjikë, institucionet e pavarura, shoqërinë civile, për të adresuar jo dallimet tona politike, por procesin e mëtejshëm të shtetbërjes europiane të Shqipërisë, duke identifikuar hapa që duhen ndërmarrë. Ju thoni që e keni shumë seriozisht që doni të vini në pushtet, zgjedhjet janë vitin e ardhshëm dhe nëse vërtet do të vini në pushtet ju duhet të jeni të interesuar për këtë.
Konsiderojeni këtë iniciativë tonën si mundësi tuajën, duke menduar çfarë do të bëni për shtetbërjen europiane kur të vini në pushtet. Personalisht mua dhe ne që jemi këtu dhe që na gënjen mendja se do të jemi këtu për 5 vjet të tjera, iniciativa do të jetë për Shqipërinë e 2030, kur ta ngremë flamurin tonë në Bruksel. Kur drejtimi për t’u marrë është i njëjtë, pavarësisht nga dallimet dhe kush refuzon ta marrë për inat të tjetrit humbet rrugën”, tha Rama. /vizionplus.tv