Rama ndan foto të parcelave me livando në Gramsh

TIRANË 12 korrik/ATSH/ Parcela pafund me livando janë kultivuar vitet e fundit në qytetin e Gramshit.
Veçse një burim jetese për banorët e zonës, pasi bima aromatike përdoret gjerësisht në kozmetikë dhe produktet larëse, ato janë kthyer edhe në një atraksion për turistë të shumtë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës për promovimin e vendit “Beautiful Albania”, publikoi foto të fushave me livando të Gramshit.
Rreth 80% e familjeve në zonën e Kushovës në Gramsh e kanë të lidhur ekonominë familjare ngushtësisht me livandon, të cilën e kultivojnë e grumbullojnë në një sipërfaqe prej 400 hektarësh që shtrihet në gjithë Kushovën.
Prodhimi organik i bimëve aromatike dhe mjekësore në Shqipëri përfaqëson një potencial të madh për eksport që rrit ekonominë e familjeve në zonat rurale.
Fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta.
Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës.
Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando, etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esencialë, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.
/r.e/