Rama ndan fotoalbumin e javës

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përcolli sot përmes një fotoalbumi zhvillimet kryesore të javës, ndër të cilat takimi me mbretin e Spanjës, në Madrid, apo samiti “Pact of Free Cities” që u mbajt në Tiranë.
Rama, i cili zhvilloi një vizitë në Spanjë për të marrë pjesë në ceremoninë e “Espanol Universal Award” u mikprit nga Mbreti Felipe VI, në pallatin Zarzuela, në Madrid, i cili pas takimit me të organizoi një mikpritje për nder të Shqipërisë me anëtarët e bordit të “World Jurist Association”, organizata prestigjioze ndërkombëtare e juristëve, gjyqtarëve, akademikëve dhe profesionistëve të ligjit nga e gjithë bota, në vigjilje të nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, i cili do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
“Kreditimi i sektorit bujqësor” ishte tryeza e diskutimit të zhvilluar gjatë javës, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, mbi identifikimin e rrugëve dhe krijimin e instrumenteve për një progres sa më cilësor në këtë proces.
Në këtë tryezë u diskutua gjerësisht për një qasje të re dhe novatore që synon t’i japë një frymëmarrje të re kreditimit, përmes institucioneve financiare.
Si rezultat i një procesi të gjatë konsultimi mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sektorit bankar, Kryeministri Rama informoi për hapjen e një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë eurosh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë.
Me qeverinë si garante, do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.
Ndërsa të mërkurën, Tirana mikpriti samitin e “Pact of Free Cities”, me pjesëmarrjen e 20 kryebashkiakëve dhe përfaqësues nga metropolet më të mëdha të Europës dhe botës, të cilët ndanë eksperiencat dhe perspektivat mes tyre për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e bashkëpunimit.
Samitin e përshëndeti edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është kthyer në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore me projekte interesante arkitektësh prestigjozë dhe se ky ishte vetëm fillimi i një gjerdani goxha të gjatë veprash mbresëlënëse të kësaj arkitekture.
Po të mërkurën u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për sfidat dhe ambiciet e reformës së re të sistemit të pensioneve për “Shqipërinë 2030”, ku ekspertë të fushës dhe aktorë të tjerë me rol të rëndësishëm në këtë reformë diskutuan mbi reformimin e sistemit të pensioneve.
Të martën u prezantua raporti monitorues i OECD/SIGMA për Shqipërinë për vitin 2024, në eventin “Transformimi i Shërbimit Publik: Themeloret e Reformës së Administratës Publike në Shqipëri”, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama.
Për këtë vlerësim periodik, strukturat e qeverisjes qendrore në vend u angazhuan intensivisht në periudhën shkurt-tetor 2024, nën drejtimin e procesit nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke mundësuar që Shqipëria të jetë lidere e rajonit mesatarisht për të gjithë (32) indikatorët e marrë në vlerësim sipas 6 fushave: Strategjia; Zhvillimi dhe koordinimi i politikave; Shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore; Organizimi, llogaridhënia dhe mbikëqyrja; Ofrimi i shërbimeve dhe digjitalizimi; Menaxhimi i financave publike. /j.p/
1 nga 39