Rama ndan momente nga vizita e Erdogan në Tiranë

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau një video me disa nga momentet e vizitës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në vendin tonë, ditën e djeshme, gjatë së cilës u inaugurua edhe Xhamia e Namazgjasë.
Rama përcolli fotoalbumin e fotove të vizitës që ai e cilësoi të një miku të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan nënshkruan dje në Tiranë deklaratën e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik, përmes krijimit të një Këshilli bashkëpunimi të një niveli të lartë.
Më pas ministrat e dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë firmosën 3 marrëveshje bashkëpunimi.
Gjatë pasdites së djeshme u hap dhe Xhamia e Madhe e Tiranës që njihet dhe si xhamia e Namazgjasë me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve.
Kryeministri Rama dhe presidenti i Turqisë iu drejtuan me një fjalë të gjithë besimtarëve të mbledhur me rastin e hapjes së xhamisë, çka shënon dhe një ditë të rëndësishme për të gjithë komunitetin mysliman shqiptar.
“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na ndihmoftë në rrugën tonë pa kthim, e as ndalim drejt majës që duam dhe do ta ngjisim patjetër flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, në një Shqipëri të denjë dhe të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine e ideje”, u shpreh kryeministri Rama.
/a.f/