E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama ndan pamje nga “Parada e shqiptarëve” me flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës

TIRANË 28 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga “Parada e Shqiptarëve” që u mbajt sot në Tiranë me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë.

“Xhamadani vija-vija o ësht Kosova ësht Shqipria”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Në paradë u shfaqën në fluturim edhe flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës krah për krah.

Në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë po marrin pjesë sot mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kuadër të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Parada kuqezi” nisi nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe po përshkon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”, ku u zhvillua ngritja e flamurit shqiptar.

Në hapje të paradës u shënua një moment emocionues, me recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë,” sjellë mjeshtërisht nga aktori i njohur Reshat Arbana.

Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.

E kthyer tashmë në një traditë në Nju Jork, shqiptarët nga e gjithë bota të veshur kuq e zi dhe me veshje popullore mbushën sot rrugët e Tiranës.

Të pranishëm në paradë ishin mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Pjesë e paradës ishin përfaqësues nga 150 qytete, delegacione nga bashki dhe komuna shqiptare, bashkë me ansamblet e tyre.

Në të dy anët e bulevardit ishin edhe qytetarë të shumtë për të ndjekur nga afër paradën.

“Parada e Shqiptarëve” ka një ndikim të rëndësishëm në turizmin dhe ekonominë e vendit. Fluksi i pjesëmarrësve nga brenda dhe jashtë kufijve, si dhe vizitorët e huaj tërhequr nga kjo ngjarje, krijuan një atmosferë të gjallë në Tiranë.

Hotelet, bujtinat dhe restorantet përfituan nga rritja e kërkesës për shërbime, duke prezantuar mikpritjen tradicionale shqiptare dhe duke nxitur ekonominë lokale.

Kjo paradë është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion unik kulturor në rajon.

“Parada e Shqiptarëve” vijon të jetë një simbol i bashkimit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët, duke treguar se Tirana mbetet zemra e aktivitetit kombëtar dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta.

Parada u organizua nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›