E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Bulqizë: Investimet në agroturizëm po rriten, “Temla Retreat” model për zhvillimin rural

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Investimet në struktura agroturistike po zgjerohen me ritme të shpejta në zona të ndryshme të vendit, duke nxitur zhvillimin e turizmit gjithëvjetor dhe ekonominë lokale.

Gjatë një vizite sot në Bulqizë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Turizmit Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe drejtuesi politik i qarkut Dibër Ulsi Manja, pa nga afër investimin më të ri “Temla Retreat”, një strukturë akomoduese që synon të kthehet në një pikë multifunksionale për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Struktura e re përfshin ambiente akomodimi, restorant, si dhe hapësira rekreative, ndërsa pozita gjeografike ofron atraksione natyrore të larmishme, duke përfshirë zona malore, pyje dhe mundësi për aktivitete në natyrë. Investimi përfshin gjithashtu një pikë për aktivitete me kuaj, duke shtuar ofertën turistike të zonës.

Sipërmarrësi i këtij projekti theksoi se ka zgjedhur të investojë në vendlindje pas një eksperience 30-vjeçare pune në Tiranë. Ai bëri të ditur se struktura përfshin dhoma akomodimi dhe katër suita, si dhe ambiente relaksuese si pishinë dimërore dhe verore.

Kryeministri Rama vlerësoi këtë nismë si një shembull për zhvillimin rural, teksa vuri në dukej se, ky është një model frymëzimi për sipërmarrësit që duan të investojnë në zonat e tyre dhe të rikthejnë vlerat e traditës.

Ai theksoi se mbështetja për sipërmarrjen do të vijojë përmes instrumenteve financiare.

“Përmes programit ‘Dyfisho Ndërmarrjen’ dhe me garanci nga shteti, mund të përfitohet financim për të përshpejtuar investime të tilla”, tha Rama.

Sipas tij, struktura të tilla kanë potencial të shndërrohen në qendra të rëndësishme për turizmin dhe aktivitetet sociale.

“Ky ambient mund të shfrytëzohet edhe për organizimin e eventeve dhe festave, duke krijuar më shumë vlerë për zonën”, theksoi Rama.

Investime të tilla po konsiderohen si një shtysë për rigjallërimin e zonave rurale dhe rritjen e punësimit, duke e kthyer agroturizmin në një nga sektorët me potencial të lartë zhvillimi në vend.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›