E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama në Durrës: Në 11 maj synojmë 1 mln vota, me integrimin në BE kemi buxhet ekstra

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka prezantuar këtë të enjte kandidatët për deputetë që do të garojnë në qarkun e Durrësit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.

Duke folur para të rinjve në Durrës, Rama tha se shqiptarët më 11 maj duhet t’i bëjnë llogaritë si duhet, ndërsa vuri në dukje se forca politike që ai drejton synon të marrë 1 milion vota në zgjedhjet e përgjithshme.

“Në 11 maj duhet të synojmë 1 milion vota duke përfshirë edhe emigrantët natyrisht. Ne duhet të dalim nga 11 maji me më shumë se 900 mijë vota”, tha Rama para të rinjve në Durrës.

Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti Rama vuri në dukje se duke u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, shqiptarët fitojnë statusin e të qenit qytetarë të BE-së.

“Bashkimi Evropian nuk është thjesht një çështje lirish dhe të drejtash të garantuara. Duke hyrë në BE ju fitoni statusin e të qenit qytetarë të Bashkimit Evropian dhe nuk është e njëjta gjë si të jesh udhëtar, turist apo student. Qytetarët e barabartë të Evropës kanë të drejtë të shkojnë ku të duan dhe të qëndrojnë ku të duan”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se me integrimin e vendit në BE, Shqipëria do të ketë “një buxhet ekstra”.

“Me hyrjen në BE ne fitojmë një buxhet tjetër që na vjen plus buxhetit që krijojmë vetë. Ka disa që thonë 12 vite nuk na futën në Bashkimin Evropian dhe tani del Edi Rama thotë “na jepni një mandat tjetër dhe do futeni”. Por ne i kemi filluar negociatat zyrtarisht vjet dhe dera është hapur, se edhe ata sot kanë interes që të na marrin ne dhe Malin e Zi si fillim brenda sepse duan të japin një mesazh gjeopolitik se BE po shkon drejt unifikimit dhe të gjitha pjesët që kanë mbetur jashtë të bëhen bashkë”, theksoi kryesocialisti Edi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›