Rama në Kuçovë e Berat: Anëtarësimi në BE, misionin historik. Shqipëria po përmbyll ciklin e shtetbërjes demokratike

Kryeministri Edi Rama, njëherazi kreu i Partisë Socialiste, u ndal sot (1 maj) në Kuçovë dhe Berat, në vazhdën e takimeve elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Para qytetarëve në Kuçovë, Rama e vuri theksin tek ajo që e konsideroi si “mundësi historike”, anëtarësimin në BE. Duke përmendur shifra, Rama tregoi përfitimet financiare që, sipas tij, do të ketë vendi ynë me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Përmbushja e një misioni historik për popullin shqiptar, anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Dua tju jap vetëm 2 shifra për të kuptuar në aspektin financiar. Në rrugëtimin e këtyre 3 mandateve ne kemi pas mbështetje nga BE dhe ka qenë një mbështetje që ka ardhur në rritje, por nëse jua them si shifër, ne kemi marrë nga BE diçka më shumë se 1 mld euro nga të cilat 90% janë kredi të buta. Ndërkohë që me anëtarësimin në BE Shqipëria do të marrë 1 mld euro çdo vit dhe ndryshimi tjetër do të jetë që nuk do të jenë 90% kredi, por kontribut i asaj shtëpie të përbashkët për Shqipërinë. Shifra tjetër lidhet me bujqësinë. Kemi marrë shumë më pak se 200 mln euro mbështetje nga BE, ndërsa me anëtarësimin në BE, Shqipëria do ta marrë për bujqësinë 300 mln euro në vit, e gjitha mbështetje e drejtpërdrejtë jo kredi. Me hyrjen në atë ‘shtëpi’, ne menjëherë bëhemi me një buxhet ekstra, përveç buxhetit që krijojmë nga të ardhurat si rezultat i rritjes ekonomike brenda vendit”, tha Rama.
Në takimin me qytetarët në Berat, ai u ndal te reforma në drejtësi. Sipas kryesocialistit, është partia që ai drejton që garanton drejtësi të barabartë për të gjithë. Akuzave se gjysma e qeverisë së tij ndodhet në burg, Rama iu përgjigj duke thënë se do të ishte kokëulur “nëse do kishim në drejtësi që do godiste vetëm kundërshtarët”.
“Ju thamë na besoni që të keni nesër një drejtësi që godet majtas e djathtas dhe sot do të isha kokëulur nëse do kishim në drejtësi që do godiste vetëm kundërshtarët dhe që nuk do guxonte të futej në oborrin e shtëpisë sonë për të bërë punën e saj e pashatazhuar apo luftuar siç ndodhte jo shumë vite më parë kur nga dritaret e kryeministrisë vriteshin protestues të pafajshëm dhe kryeministri ndalonte drejtësinë të merrte tre policë në pyetje. E parapërfytyroni dot sot këtë? Jo, sepse Shqipëria është sot një hap larg derës së BE. Shqipëria sot është një vend që po përmbyll ciklin historik të shtetbërjes demokratike”, theksoi ai.
/rtsh.al/