Rama në darkën zyrtare me presidentin e Francës, Emmanuel Macron

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, mori pjesë sot në darkën zyrtare me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në kuadër të Samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve në “Palais de l’Élysée”.
Rama ndodhet në Paris, me ftesë të presidentit Macron, për të marrë pjesë në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve në mbështetje të Ukrainës.
Takimi ka mbledhur në Paris krerë shtetesh dhe qeverish, së bashku me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar koordinimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë samit riafirmon angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e palëkundur të vendit tonë në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët euroatlantikë.
Më 14 korrik 2026, po me ftesë të presidentit Emmanuel Macron, kryeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e Festës Kombëtare të Francës.
/m.m/j.p/