Rama, në prokurori me gjithë gruan
Dosja e dorëzuar në prokurori kap gafil ish-kryebashkiakun, i cili i ka shkelur ligjet, si ariu qelqurinat. Por përveç konfliktit të interesit, përdhosja e institucioneve të shtetit, po e çon Edi Ramën familjarisht në prokurori, aty ku duhet të japë përgjigjet që ende s’mundi dje t’ia japë opinionit publikut, edhe pse kaloi plot dy javë në arrati, duke u menduar
Për lejet e ndërtimit në zona publike ish-Kryebashkiaku Edi Rama është akuzuar shumë herë në media dhe prokurori. Dalja në dritë të diellit të lejes së ndërtimit të pallatit të familjes së Linda Bashës, bashkëshortes së Edi Ramës, duhet thënë se nuk ka habitur shumë njerëz. Qytetarët e kryeqytetit janë të njohur me fenomenin e mbirjes së pallateve vend e pa vend përballë dritareve të tyre.
Ish-Kryebashkiaku Rama ka bërë me kryeqytetin e shqiptarëve për 11 vjet ç’i ka dashur qejfi, duke hedhur firmën për leje ndërtimi në kundërshtim të ligjit për urbanistikën. Sheshi i pallati të familjes së Linda Bashës ka qenë përcaktuar si hapësirë e përbashkët e banorëve të bllokut të banimit në rrugën “Qamil Guranjaku”.
Mirëpo me firmë të ish-Kryebashkiakut Rama, i cili ishte në atë kohë dhe në partneritet interesi me Linda Bashën (ex-Xhillari), gruan e tij të ardhshme, ka lehtësuar përvetësimin e këtij sheshi publik për të ndërtuar një pallat 5 katësh me kosto ndërtim miliona dollarë. Ky përvetësim i pronës publike të komunitetit në kundërshtim me ligjin është denoncuar së pari nga banorët e asaj zone dhe së fundmi me prova e fakte nga Bashkia Tiranë, e cila ka depozituar në Prokurorinë e rrethit Tiranë materiale që zbardhin së paku një shpërdorim të detyrës të ish kreut të Bashkisë Tiranë.
Dosja e dorëzuar në prokurori ka kapur gafil ish-Kryebashkiakun, i cili i ka shkelur ligjet, si ariu qelqurinat. Por përveç konfliktit të interesit me familjen e gruas apo përdhosja e institucioneve të shtetit, po e çon Edi Ramën familjarisht në prokurori, aty ku duhet të japë përgjigjet që ende s’ka mundur t’ia japë opinionit publik.
Heshtja e Edi Ramës për pallatin e familjes Linda Bashës është aq e zhurmshme sa duhet të mbyllësh veshët për informacionet që vijojnë të dalin e që po merr përmasat e një skandali publik të paparë.