Rama në takim me Presidentin e KE: Nuk e humba asnjëherë besimin! Duhet të bëjmë detyrat për Shqipërinë anëtare të BE

Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë të enjte presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.
Costa ka ardhur në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet ditën e nesërme në Tiranë.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, Rama u shpreh se ai personalisht nuk e kishte humbur asnjëherë besimin për Shqipërinë anëtare të BE.
Rama e krahasoi hyrjen në BE me një histori dashurie, ku Shqipëria duhet të bënte detyrat derisa sa Bashkimi Evropian të hapte derën.
E tashmë, sipas kryeministrit, ajo që duhet të bëjnë të dashuruarit, ku në këtë rast është vendi ynë, është të mos dorëzohen.
“Unë nuk e kam humbur asnjëherë besimin, por kam thënë që kjo është një histori dashurie, deri kur ana tjetër do të ndjejë nevojën për ty, ti s’duhet të dorëzohesh. Ndërkohë që ti rri poshtë dritares duke bërë serenatë, deri sa të hapet dritarja. Dritarja është hapur, çarçafi është hedhur, dhe ne tani, të dashuruarit, duhet të ngjitemi”, tha Rama.
/vizionplus.tv