“Rama nuk ia mbyll dot gojën opozitës”, “Rithemelimi”, të enjten sërish protestë para Kuvendit

“Rithemelimi” i PD-së do të vijojë me protestat para Kuvendit. Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili informoi se protesta e radhës do të zhvillohet të enjten (23 shkurt), gjatë zhvillimit të seancës parlamentare. Sipas tij, qëllimi i protestës është që të bëj të qartë se Rama nuk ia mbyll dot gojën opozitës.
“Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike vendosi: Protestat do të vazhdojnë! Thirrje qytetarëve për protestën e radhës ditën e Enjte, para Parlamentit, ora 10:00! Liri pa fjalë të lirë nuk ka! Edi Rama nuk ka shans t’i mbyllë gojën opozitës!”, njofton Noka.
Komisioni i Etikës vendosi këtë të martë përjashtimin e 6 deputetëve të PD nga Kuvendi. Ky vendim erdhi pas kërkesës së PS për shkak se deputetët krijuan kaos dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancave parlamentare. Konkretisht deputetët Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Sorina Koti janë përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Lindita Metalia me 5 ditë dhe Greta Bardeli me 3 ditë.
/rtsh.al/