Rama pas incidentit me vezë në New Jork: Unë me partinë po luftojmë korrupsionin. Qeveria censuroi videon

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit të një dite më parë në Nju Jork, ku gjatë një aktiviteti ku ai po merrte pjesë u qëllua me vezë nga protestues.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u është përgjigjur kritikëve të tij, duke deklaruar se sulmet me vezë, baltë apo akuza nuk do ta ndalin në atë që ai e cilëson si misionin për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.
“atyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni!”, shkruan Rama.
Kryeministri ka folur edhe për akuzat për korrupsion, duke pretenduar se Shqipëria e sotme nuk është më vendi që ishte më parë dhe se institucionet po luftojnë korrupsionin.
“Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me ‘bombat çudibërëse’ që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion”, vijon Rama.
Sipas tij, në një vend të “mbytur në kënetën e korrupsionit” nuk mund të ketë luftë frontale dhe rezultate konkrete kundër korrupsionit.
Sponsorizuar
“Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!”, shkruan kryeministri.
Rama pretendon gjithashtu se Bashkimi Europian e vlerëson gjithnjë e më shumë Shqipërinë për luftën kundër korrupsionit, ndërsa sulmon kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë.
“Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik”, shkruan Rama.
Zyrat e kontraktuara nga qeveria e censuruan videon ku Rama qëllohej me vezë në shumicën e mediave. Në rrjetet sociale ajo u frenua ndërsa mediat tradocionale nuk e transmetuan me ndonjë përjashtim.
Një ditë më parë u qëllua me vezë edhe ish ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bashkë me të shoqen, dikur bashkëjetuese e Ramës dhe drejtuese e projekteve të mirëfinancuara nga USAID. a.b