Rama për Arabnews: Uroj që lidhja jonë me shtetet e Gjirit të bëhet gjithnjë e më e fortë!

Në një intervistë për televizionin arab Asharq News, kryeministri Edi Rama vlerësoi vendet e ”Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit” (GCC), analizoi tensionet me Iranin.
Rama shprehu admirim për liderët e Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera anëtare të GCC-së duke i përshkruar arritjet e tyre si “një burim frymëzimi”.
”Për sa i përket Arabisë Saudite dhe vendeve të GCC-së, ne kemi marrëdhënie shumë të forta me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Arabinë Saudite dhe me Kuvajtin dhe shpresoj se ato do të bëhen edhe më të forta”, tha Rama, i cili është edhe piktor, publicist, ish-profesor universiteti dhe ish-basketbollist.
”Unë shoh me admirim atë që po ndodh atje, si në Emiratet e Bashkuara Arabe ashtu edhe në Arabinë Saudite, dhe i përgëzoj shumë liderët që po tregojnë vizion dhe po i ngrenë lart këto vende dhe po i bëjnë ato, në shumë mënyra, një frymëzim. Ne mund të mos pajtohemi për disa gjëra, por kjo nuk është arsye për të mos admiruar atë që ata po bëjnë dhe ne kemi shumë për të mësuar prej tyre. Dhe shpresoj që lidhja jonë të bëhet më e fortë”, theksoi Rama.
Ndryshe nga marrëdhëniet me vendet arabe, një vend i Lindjes së Mesme me të cilin marrëdhëniet mbeten të tensionuara është Irani. Shqipëria, anëtare e NATO-s, akuzoi Iranin për kryerjen e një sulmi kibernetik më 15 korrik të vitit të kaluar, i cili bllokoi përkohësisht disa shërbime dhe faqe interneti dixhitale të qeverisë shqiptare. Ditë më vonë, një sulm i dytë kibernetik goditi një nga sistemet kufitare të Shqipërisë.
Tirana u përgjigj duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin dhe duke dëbuar stafin e ambasadës iraniane. Në atë kohë, Arabia Saudite dënoi sulmin kibernetik.
”Duhej të vepronim kundër Iranit sepse Irani po sillej brutalisht kundër nesh. Ata shënjestruan Shqipërinë me një sulm kibernetik shumë të egër. Pse? Sepse u dhamë strehë disa mijëra iranianëve, jo për ta bërë Shqipërinë një platformë politike kundër regjimit, por për t’u dhënë atyre strehim sepse jeta e tyre ishte në rrezik”, shtoi ai.
Rama i referohej anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, të njohur gjithashtu si MEK, të cilët e zhvendosën selinë e tyre nga Iraku në Shqipëri në vitin 2016.
“Ne jemi një vend që respektojmë jetën e njerëzve. Irani nuk e kuptoi mirë ose nuk e kuptoi fare dhe na sulmoi, kështu që na u desh të ndërprisnim marrëdhëniet diplomatike dhe t’i dëbonim ata”, thekson kryeministri shqiptar Edi Rama.
( Marrë nga ATSH )
/ rtsh /