E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama prezanton “shërbëtorin” virtual në e-Albania: Asistenti i çdo qytetari 24 orë në ditë

Vitin e ardhshëm e-Albania do t’i shtohet një shërbim i ri. Ai do të jetë ndihmësi virtual. Detyra e tij do të jetë të thjeshtojë gjetjen dhe nxjerrjen e dokumenteve të kërkuara nga qytetari. Ky shërbetor virtual që e bën më të lehtë përdorimin e e-Albania, veçmas për ata qytetarë që ndeshen me vështirësi në përdorimin e teknologjisë, do të jetë i disponueshëm në çdo orë. Qytetari ka mundësinë të bëjë 60 pyetje apo kërkesa rradhazi dhe në kohë reale të marrë edhe përgjigjet apo dokumentet e kërkuara.

“Në vigjilje të vitit të ri do të vëmë në dispozicion të qytetarëve shërbëtorin e secilit, një shërbëtor publik, një asistent, i cili do të jetë në dispozicion në çdo orë të ditës dhe të natës, pavarësisht ditëve të punës apo pushimit, për t’i ndihmuar qytetarët që në ndërveprimin me E-albania të marrin shërbimet e tyre pa pasur nevojë për ndihmë tjetër”, tha Rama.

Ambicia e qeverisë është ta çojë në një tjetër nivel shfrytëzimin e inteligjencës artificiale në funksion të qytetarëve. Ndihmësi virtual të jetë me zë e figurë dhe të gjithë procesin e kërkimit të dokumenteve do ta bëjë ai.

“Nuk do të jetë e largët dita, – ne besojmë brenda vitit që po hyn, – kur qytetari do të kërkojë shërbimin dhe të gjithë proceset që sot i bën vetë qytetari, tanimë me ndihmën e këtij shërbëtori publik personal, t’i bëjë vetë shërbëtori dhe qytetari të marrë dokumentin përkatës dhe përgjigjen përkatëse pa asnjë ndërveprim fizik nga ana e tij”, tha Rama.

Ky shërbim i shtuar në e-Albania synohet që të zbatohet edhe në platformën e bashkëqeverisjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›