Rama pritet nga shqiptarët në Staten Island me tortë rozë me dy flamingo: Njëri kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Staten Island, në New York ku ndër të tjera vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare.
Organizatorët e këtij takimi e kanë mirëpritur kryeministrin Rama me një tortë me dy flamingo.
“…U mirëprita këtu nga Xhemoja dhe nga organizatorët me një tortë rozë që kishte dy flamingo si një zemër dhe më erdhi jashtëzakonisht mirë për vete, për flamingot, për Xhemon, për të gjithë. Jetojmë në një kohë kur Shqipëria tanimë nuk vuan më faktin e tmerrshëm se zogjtë e kafshët e njerëzit vriten dhe askush nuk merret me to, por jeton në një kohë kur shqetësohet për zogjtë, gjethet, fluturat, ujin, për biodiversitetin, njësoj si në çdo vend kur problematikat e mëdha të mbijetesës janë kapërcyer dhe kanë filluar problematikat e mëdha të zhvillimit”, u shpreh Rama gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim me shqiptarët që jetojnë në Amerikë.
Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se “koha kur Shqipëria mendonte “ka edhe më keq”, ishte koha kur ne nisëm së bashku këtë rrugëtim dhe falë këtij rrugëtimi, ka ardhur koha kur Shqipëria thotë “ka edhe më mire” dhe kjo është sfida jonë e përditshme, sepse është e vërtetë, ka edhe më mirë dhe është plotësisht e vërtetë që ne së bashku mund të bëjmë çdo ditë e më mirë për Shqipërinë, për shqiptarët”.
Gjithashtu, Rama nënvizoi se “këtu në Staten Island, thonë se është i vetmi vend në botë, ku mund të gjesh Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Franklin Roosevelt, që janë krah për krah njëri-tjetrit, çka tregon se, pavarësisht se këtu jemi në Amerikë, ky është një territor jo zyrtarisht i pushtuar nga shqiptarët”.
Kryeministri nuk la pa përmendur edhe situatën me të cilën u përball gjatë vizitës në SHBA: “Një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Mund të kishte ardhur edhe në Tiranë, por preferoi të vinte në New York dhe me këtë rast, shpresoj të ketë kaluar mirë edhe me Policinë e New Yorkut”.
Ndërkohë që, nga ana tjetër, vijoi Rama, ishte shumë e bukur që në trupën e mbrojtjes që u angazhua pastaj për çdo eventualitet, kryesori ishte një shqiptar që shërben në Policinë e New Yorkut.
“Kështu që, falë këtij integrimit të madh të shqiptarëve në jetën e këtij vendi dhe falë edhe interesimit të madh të shqiptarëve për jetën e atij vendi, unë u ndodha komplet në shtëpi. Edhe policia, edhe protestuesit, njësoj si në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri Rama.