Rama publikon pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike: Ecim pa ndalim

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike, të zaptuara padrejtësisht nga biznese private.
Në postimin e tij, Rama thekson se ky proces është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të vendosur standarde të reja në qytetet shqiptare.
“Ecim pa ndalim”, shkruan ai në Facebook.
Më parë, Kryeministri Rama ka deklaruar se ndërhyrjet nuk janë vetëm masa ndëshkuese për shkelësit, por një domosdoshmëri për të përmirësuar cilësinë e jetës urbane, shërbimet publike dhe për të krijuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit urban në përputhje me standardet e mikpritjes dhe funksionalitetit.
Aksioni, i nisur në korrik, është shtrirë në gjithë vendin dhe konsiderohet prioritet për pushtetin lokal dhe atë qendror.
Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se është në përgatitje një Rregullore Kombëtare, e cila do të përcaktojë ligjërisht kufijtë e hapësirave që mund të shfrytëzohen nga bizneset, për të garantuar rend urban dhe akses për qytetarët.
/rtsh.al/