Rama rikthen Musa Ulqinin dhe Mimoza Hafizin në listat e deputetëve
Musa Ulqini dhe Mimoza Hafizi i janë bashkuar sot skuadrës së rilindjes të Partisë Socialiste.
Kreu i PS-së Edi Rama ka rikthyer në listat për deputetë dy socialistë të cilët nuk ishin përfshirë në listat e vitit 2009, ku Musa Ulqini do të jetë kandidat për Elbasanin dhe Mimoza Hafizi për Shkodrën.
Ndërsa vlerësoi kontributin e dy kandidatëve në PS-së pavarësisht siç tha ai hatërmbetjeve, Rama sqaroi edhe arsyet e përfshirjes së tyre në listën e Partisë Socialiste.
Jam i kënaqur që në këtë ditë të veçantë të prezantoj dy pjesëtarë të skuadrës sonë por që vijnë nga një rrugëtim i kahershëm politik dhe nga një fazë e jetës politike me lëkundjet për shkak të zgjedhjeve të bëra në vitin 2009. Megjithatë dua të nënvizoj që përfshirja në skuadrën e Musa Ulqinit nuk është thjesht reflektimi im për një socialist 24 karat me të cilin politika na njohu dhe na bëri miq dhe politika na ndau përkohësisht për disa kohë kur Musai nuk u përshi në listën e 2009. Ky është edhe momenti për të nënvizuar respektin për kontributin e një pjesëtari të PS që pavarësisht se në atë kohë u ndje iu ngrënë në hakun e vet nuk doli në rrugën e mllefit në emër të egoizmit e sedrës por pavarësisht ndarjes me mua në këndvështrime kontribuoi për PS në komunitetin ku jeton. Por edhe më shumë se kaq se lista e deputetëve nuk ndërtohet si stenda e një muzeu, apo kapitulli i një historie, Ulqini vjen sot si një vlerë e shtuar në atë pjesë të patjetërsueshme të ballafaqimit zgjedhor tha Rama.
Ndërsa për Mimoza Hafizin, Rama theksoi se është hera e parë që kandidatohet për deputete pavarësisht se ka qënë prej vitesh në strukturat e Partisë Socialiste.
Mimoza Hafizi nuk u përfshi dhe pse ishte anëtare e PS. Zgjodhi të rrinte në PS jo me mllef, por me arsyet e veta mu kundërvu pa e shkelur asnjëherë etikën, por pa e lënë asnjëherë bosh vendin si anëtare e PS në raport me njerëzit e kësaj familje, në raport me detyrën e saj dhe detyrimin përkarshi kësaj familje politike shtoi Rama.