Rama, si Enveri, eliminon themeluesit dhe tenton të manipulojë historinë

Sipas një radhe të kopjuar nga diktatori, Edi Rama po synon që të eliminojë nga partia, jo veç themeluesit dhe politikanët proeuropianë të së majtës, por edhe dëshmitarët e kësaj masakre politike. Si një zombie, Edvini u mundua dje të retushonte historinë e PS-së, por mjaft politikanë janë ende aktivë sa për të mos e lënë këtë tentativë mjerane të shndërrohet në një krim perfekt që do t’i kushtojë gjithë vendit
Në këtë 20 apo 70 vjetor të soc-komunistëve, Edi Rama ka pasur rastin të bëjë një bilanc të masakrës 6-vjeçare që ka konsumuar tek drejtuesit e Partisë Socialiste. Por në një përpjekje të stërmundimshme për ta fshehur realitetin, sikur fliste mbi një kapicë kufomash, Edi Rama mbrëmë nuk përmendi asnjë emër të historisë 20-vjeçare të PS-së – përjashto Dritëro Agollin, i cili mund të klasifikohet tashmë si një kufomë politike – pasi në çdo vit që të ndalej, do të duhej të përmendte ndonjë të likuiduar. Mund ta niste me Spiro Deden e Moikom Zeqon, më pas me Servet Pëllumbin e Rexhep Meidanin, më vonë me Hajdaragën e Ulqinin, Agron Dibrën e Bardhyl Agasin, apo në kohë më të reja me peshat e rënda, Fatos Nanon e Ilir Metën. Bile në ceremoni kishte edhe disa “kufoma” politike krejt të freskëta, si Ermelinda Meksi e Arben Malaj, të cilët si në fabulën e gomarit, ende s’e dinë se janë gëlltitur nga lubia (ujku në fabul).
Rendi i likuidimeve politike ka qenë i ndryshëm, por në të njëjtën sjellje, krejt si diktatori i PS-së, në fillim janë likuiduar themeluesit, më pas protagonistët e linjave patriotike e pro-perëndimore e në fund edhe dëshmitarët e këtyre likuidimeve. Edi Rama i ka kaluar thuajse të gjitha fazat e këtyre “vrasjeve politike” dhe tashmë është në fazën e propagandës, atje ku retushohen fotot për të mos u kuptuar krimet e për të mos u kujtuar emrat e viktimave. Historia e Enver Hoxhës është e mbushur dingas me precedentët e shkatërrimit të fotove dhe retushimit të tyre, ku më klasiket janë ato të 1936-s, kur u morën nga Shkodra eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Çullit apo fotot e kongreseve partiake, që masakroheshin historikisht, sa herë “zbulohej” ndonjë “grup armiqësor”.
Historitë e retushimit të Nako Spirut, Koçi Xoxes, Liri Belishovës apo më flagrantet, ato të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut tashmë janë shndërruar në barsoleta, por atëhere këto krime propagandistike ndikonin në zgjatjen e jetës së diktaturës. Edi Rama e ka konsumuar fazën e spastrimit të partisë nga themeluesit dhe pro-evropianët, e tani është në fazën e likuidimit të dëshmitarëve. Ky operacion është më i vështirë, pasi njerëzit sot botojnë kujtimet e tyre të pavarura, dëshmojnë në shtyp për korruptimin e hershëm e të vonë të kryetarit të partisë, por edhe janë ende shumë të rinj për ta dëshmuar sa herë të munden praninë e tyre në jetën politike. Sikleti që kaloi pardje Edi Rama me (mos)ftesën e Fatos Nanos është sinjali se pas likuidimeve institucionale nuk vjen shkretëtira dhe qetësia...
Përkundrazi! Jemi në shekullin XXI. Krimi perfekt nuk ekziston dhe kjo vlen edhe për tjetërsimin e Partisë Socialiste në një celulë private, që mëton të qeverisë armatën e elektoratit të majtë. Ilir Meta, kryeministri i konsideruar si më i suksesshmi i historisë së të majtës shqiptare është aktiv në politikë, jo veç si dëshmitar i kësaj historie të re, por edhe shkrues i saj. Fatos Nano gjithashtu është gjallë e shëndoshë për të dëshmuar sot e gjithë ditën se Edi Ramës nuk do t’i lihet falas hipoteka e partisë. Mediat janë të forta për të na kujtuar përditë se PS-ja ka një histori 20 vjeçare, protagonistët e së cilës janë “vrarë” politikisht nga celula e Edi Ramës.
Fjalimi i djeshëm i Ramës, krejt si ai i një zombie, që përpiqej të fshihte masakrën politike poshtë këmbëve të tij, pati si kontorno praninë e koçixoxeve (ruçi) të rinj, feçorshehëve (tahiri) apo lenkaçukove (ledishamku) të reja. Rivitalizimi i rolit politik të Pandeli Majkos të kujtonte tëpkë ringjalljen për së vdekuri të Nako Spirut, sa herë pozicioni politik i diktatorit ndryshonte, herë me xhelatët e Nakos, e herë kundër xhelatëve të Nakos. Eliminimi i themeluesve në epokën moderne s’mund të pasohet as me fuqizimin e killerave të mirëfilltë, si Kristo Themelko, Myslym Peza a Kiço Ngjela, dhe sidokudo, pamja e Dashamir Pezës, Besnik Bares e Fatmir Toçit teksa kalojnë shkopinjtë e gardheve institucionale, s’japin asnjë shpresë se ky retushim politik i historisë do të ketë sukses.
Ka shumë “dëshmitarë të gjallë” për të pasur sukses një krim perfekt, prandaj edhe vakia e djeshme e Edi Ramës ishte më shumë një ushtrim terapeutik për shëndetin e tij politik, sesa një provë force e arrogance se ai ia ka arritur të vërë nën zotërim të majtën e të marrë peng fatin e shqiptarëve.