E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takon Barroson Van Rompuy e Fylen

Pas përgëzimeve të rastit për Kryeminstrin e ri Edi Rama, Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso vlerësoi progresin e shënuar nga Shqipëria për ligjet, zgjedhjet, por theksoi se duhet ende punë për arritjen e statusit kandidat brenda vitit.

"Inkurajoj Qeverinë e re por edhe opozitën në vend që të ndërtojnë mbi zhvillimet e fundit pozitive dhe të punojnë me konstruktivitet për të garantuar se vendi do të prodhojë rezultate mbi prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e vitit 2010 të Komisionit Europian. Ka një fushë e cila kërkon vëmendje të veçantë: respektimi i shtetit të së drejtës përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar," tha Jose Manuel Barroso. Pas falenderimeve për përpjekjet shtesë të Komisionit dhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Edi Rama përsëriti angazhimin e qeverisë së re në rrugëtimin drejt BE. "Ta ndryshosh për mirë vendin, jam plotësisht dakort me ju, do të thotë të transformosh Parlamentin, nga një platformë përjashtimi që ishte, në një platformë gjithëpërfshirëse; të transformosh procesin e integrimit në një proces reformash dhe zbatimi; dhe të transformosh jetën e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe në shpresë dhe në ambicie që janë të dukshme dhe të prekshme,"tha Rama. Të pyetur nga Top Channel mbi shanset për marrjen e statusit kandidat në dhjetor, si dhe për mundësinë e çeljes së negociatave gjatë vitit të ardhshëm, para zgjedhjeve europiane, Barroso dhe Rama u përgjigjën: "Në një përgjigje shumë të drejpërdrejtë mund t’ju them se unë mendoj se Shqipëria mund të arrijë, në parim, statusin kandidat këtë vit. Pra është e arritshme gjatë këtij viti. Por kjo kërkon ende disa përpjekje. Nuk kemi kohë për të humbur dhe javët e ardhshme janë kritike nëse duam të arrijmë qëllimin e marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria brenda këtij viti," tha Barroso. "Po ka çështje që mbeten, por ne nuk po e fillojmë nga zero. Procesi nuk nis me këtë Qeveri por ka nisur shumë kohë më parë, dhe qeveritë e mëparshme kanë punuar aq sa mundeshin. Ne duhet të bëjmë punën tonë. Qëllimi është i arritshëm dhe ne kemi besim se do ta arrijmë qëllimin. Dhe ne besojmë se duhet të punojmë shumë fort për qëllimin e çeljes së negociatave," tha Rama. Vizita e fundit zyrtare e këtij niveli e Kryeministrit të Shqipërisë në KE daton në prill të vitit 2010, kur Kryeministri i atëhershëm Sali Berisha dorëzoi atë që e quajti "libri më i madh në historinë e Shqipërisë", me përgjigjet e pamjaftueshme ndaj pyetësorit të Komisionit.Tre vjet pas publikimi të Opinionit dhe përcaktimit të 12 prioriteteve kyçe,jo vetëm për çeljen e negociatave, por edhe për statusin, fletorja e detyrave të shtëpisë mbetet ende e paplotësuar. Pergatiti ARTA TOZAJ Fyle: Statusi kandidat, i arritshëm Gjatë takimit në Bruksel me Kryeministrin Edi Rama, Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle inkurajoi Qeverinë e re për vijimin e procesit të reformave evropiane në një mënyrë të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse, me theks tek bashkëpunimi konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. "Ndërkohë që konfirmoi se statusi kandidat është i arritshëm, Komisioneri inkurajoi veprime të përqëndruara për trajtimin e prioriteteve të mbetura që kërkohen për çeljen e negociatave", thuhet në një deklaratë për shtyp. Rezultate konkrete kërkohen në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioneri thekson dhe përsërit se Komisioni është në fazën e përmbylljes së Raportit të Progresit mbi punën e kryer gjatë 12 muajve të fundit, dokument që publikohet muajin që vjen. Pergatiti: Ernest Bunguri Van Rompuy: E ardhmja e Shqipërisë në BE Paraqitja e programit të reformave për integrimin europian, ekonominë, shtetin e së drejtës dhe situata e re e krijuar në rajonin e Ballkanit ishte në fokus të bisedimeve që kryeministri Edi Rama zhvilloi me Presidentin e Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy. « Vërejtëm përparimin në lidhje me reformat kyçe të 12 muajve të fundit dhe tani është e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët që të përforcojnë progresin dhe të dëshmojnë gjurmë provash në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Theksova së qeveria duhet të vijojë të ndërtojë mbi arritjet, duke garantuar dialog gjithpërfshirës dhe bashkëpunim konkret me opozitën. Progresi konkret në rrugën e BE-së varet krejtësisht nga Shqipëria dhe nga suksesi i saj për të arritur rezultate në fushat e reformave kyçe. Shpreh shpresat më të mira për aspiratat e qeverisë së re dhe mirëpres frymën e re të dialogut politik konstruktiv në parlamentin e ri. Statusi kandidat po bëhet gjithnjë e më shumë real. Ju inkurajoj të vijoni në këtë rrugë dhe nuk ka dyshime se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian», deklaroi van Rompuy. « Jam shumë i nderuar dhe ishim të gjithë të privilegjuar që u mirëpritëm nga presidenti van Rompuy dhe për të ndarë me të kënaqësinë për zgjedhjet në Shqipëri, jo thjesht për faktin që ne fituam, por për faktin se Shqipëria qe e aftë të bënte zgjedhjet që meritonte populli. Dhe e falenderoj publikisht presidentin, siç i falenderova të gjithë më parë, për përpjekjen e tyre madhore për të shtyrë vendin, popullin dhe mbi të gjitha, për të shtyrë partitë politike për të bërë zgjedhje që nuk janë më një pengesë në rrugën e vendit drejt integrimit europian, duke nisur nga statusi kandidat », tha nga ana e tij kryeministri Rama. « Së dyti, ndihem shumë i privilegjuar që pata mundësinë të ndaj me zotin Van Rompuy agjendën tonë europiane, të koalicionit tonë që mban në emrin e tij Shqipërinë europiane. E garantova Presidentin se fryma konstruktive që u pa në debatin e parë parlamentar do të jetë gjithnjë e më e fortë dhe se nën kryesimin e ri të parlamentit, të gjitha partitë do të kenë të gjitha mundësitë për t’u shprehur në liri të plotë dhe me një regullore të re të kuvendit të miratuar me konsensus ». Van Rompuy vlerësoi edhe kontributin e Shqipërisë për stabilitetin në rajon dhe qëllimin e qeverisë së re për thellimin e mardhënieve me të gjithë fqinjët. Më herët, në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës zyrtare në Bruksel, kryeministri Rama dhe ministrat që e shoqëronin zhvilluan një drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, të organizuar nga ambasadori i sapozgjedhur i Italisë pranë BE-së, Stefano Sanino. Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel   Rama në selinë e NATO-s Kryeministri Edi Rama zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Selinë e NATO-s në Bruksel, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen. "Shqipëria jep një kontribut të vlefshëm për NATO-n, në misionet tona në Afganistan dhe në Kosovë dhe nëpërmjet bashkëpunimit me fqinjët, një kontribut të vleshëm për sigurinë në rajon. Kjo është një kohë mundësish për Ballkanin, një kohë për të parë nga e ardhmja dhe për të lënë pas të kaluarën", tha Anders Fogh Rasmussen. "Shqipëria do të vijojë të jetë anëtar i kësaj organizate duke përmbushur gjithnjë të gjitha detyrat. Ne na është dashur një kohë e gjatë për t'u anëtarësuar dhe do të qëndrojmë në plotësimin e të gjitha detyrave dhe detyrimeve tona. Të jeni të sigurtë se do të bëjmë më të mirën për të qenë në lartësinë e reputacionit të kësaj organizate, si në shtëpi, njësoj dhe kudo që Shqipëria do të jetë e pranishme", tha Rama. Pergatiti: Ernest Bunguri Basha: Rama të lexojë mirë mesazhin e Brukselit Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, reagoi pas deklaratave në Bruksel të Presidentit Barroso dhe Kryeministrit Rama, duke thënë se opozita shqiptare do të jetë kontribuese e procesit të integrimit dhe se asnjëherë nuk do të ketë asnjë pengesë prej saj. Por Basha kujtoi se duhet te jete Rama ai qe duhet ta lexoje mire mesazhin e per bashkepunimin me opoziten. "Kryeministri Rama mori në Bruksel, mesazhin e qartë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën e vendit të tij.Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama që ai ta lexojë drejt dhe të reflektojë pa humbur kohë rreth këtij mesazhi thelbësor për fatin e integrimit të Shqipërisë në Europë.Ta lexojë jo si një mesazh rutinë por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale të zotit Rama në detyrën e  tij si kryetar i këshillit të Ministrave.Në harkun e njëzet e katër orëve provokoi braktisje nga dy opozita kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër.Në vend që të nxirrte mësime përgjatë debatit parlamentar, zoti Rama e thelloi më tej luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij paprecedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende.Në vrapin e tij drejt godinës së Qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante dhe përçarëse të Kushtetutë.Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë. Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë  përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës. Uroj që nga Brukseli të kthehet me mend në kokë dhe këmbë në tokë dhe të heqë dorë nga konfliktualiteti dhe fryma përcarëse e urrejtjes ndaj opozitës", tha Basha. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›