E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama:Zgjedhja e Presidentit, në funksion të integrimit dhe interesit kombëtar

TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një interviste televizive të mërkurën në mbrëmje, deklaroi se zgjedhja e Presidentit në vitin 2012 duhet të jetë një proces në funksion të interesit kombëtar dhe i njehsuar me integrimin e vendit në BE.

"Zgjedhja e Presidentit nuk është një proces i të marrurit të votave këtej e andej, por një proces që duhet marrë në funksion të interesit kombëtar dhe që duhet njehsuar me interesin e integrimit të vendit", u shpreh kryetari i PS-së.

"Ne na duhet të shkojmë tek një president mbi palët, i cili të mos jetë shprehje e arrogancës së një shumice të kufizuar numrash. Kushtetuta kërkon një president thellësisht të shkëputur nga interesat e palëve dhe mishërim i interesit kombëtar dhe kushtetutës. Të gjejmë dakordësinë për një figurë që sjell rregull për të mirën e vendit dhe në interes të kombit, e cila është mbi palët dhe jashtë palëve. Ajo që na intereson është interesi kombëtar i Shqipërisë europiane dhe jo interesi partiak", u shpreh Rama.

Duke folur për zhvillimet politike gjatë këtij viti Rama iu referua ngjarjes së 21 janarit, për të cilën, tha ai, ende nuk janë gjetur fajtorët. "2011 ka qënë një vit i vështirë, se nisi me një krim shtetëror, ku u vranë 4 qytetarë dhe fajtorët nuk janë dënuar ende", tha kreu i PS-së.

Sipas tij, gjatë 2011 është thelluar kriza ekonomike në vend dhe drejtësia ka rënë. "Zgjedhjet e 8 majit i vunë vulën, duke penguar që vendit t'i refuzohet statusi i vendit kandidat për në BE", tha Rama.

I pyetur për deklaratën e Presidentit Bamir Topi, i cili lajmëroi se "nuk do të kandidojë për një mandat të dytë", Rama tha se "kjo ishte një mënyrë e respektueshme për të lënë të lirë fushën nga çdo lloj spekulimi dhe për t'u dhënë mundësi të gjitha palëve që këtë proces ta ndërtojnë pa "pengesën" e vetë z. Topi.

Duke i konsideruar zgjedhjet e 8 majit një proçes që i vuri vulën refuzimit të statusit të vendit kandidat në BE, Rama tha se për zgjedhjet në Tiranë, Komisioni i Venecias i dha të drejtë socialistëve për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, duke u shprehur se vlerësimi i tyre duhet të sanksionohet me ligj.

Sa i takon mundësisë për rikthimin në grupin parlamentar socialist të deputetit Kastriot Islami, i çregjistruar një javë më parë, Rama tha se kjo është një çështje e mbyllur.
"Nuk ka kthim mbrapa për një çështje që është e mbyllur. Dua të nënvizoj se PS është një bashkim që garanton liri dhe hapësirë për të gjithë, por që nuk mund të sfidohet nga askush në themelin e bashkëjetesës së vet", tha Rama.

Kryetari i PS-së duke folur për reformën zgjedhore, deklaroi se PS nuk mund të bëjë asgjë nëse PD vendos veton për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor.
"Ne jemi të gatshëm të gjejmë dakortësi me partitë e vogla për një përfaqësim të drejtë. Dy partitë e mëdha kanë të drejtën e vetos, nëse PD e vendos veton nuk ndryshon sistemi, por ne do të hapim kanalet e komunikimit me partitë e vogla sepse jemi gati të rishikojmë sistemin në funksion të rritjes së proporcionalitetit", u shpreh Rama.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›