“Rana e Hedhun” në Shëngjin, plazh ranor dhe sporte ujore për pushuesit

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Bregdeti i Shëngjinit dhe plazhi i “Ranës së Hedhun”, mbeten një nga destinacionet e preferuara për pushuesit vendas, por edhe turistët e huaj.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga “Rana e Hedhun”, ku shihen qindra pushues duke shijuar plazhet ranore dhe sportet ujore.
“Rana e Hedhun” është një plazh i mbrojtur që vazhdon të mbërthejë kuriozitetin e vizitorëve dhe pushuesve pasi duket sikur rëra ka nisur udhëtimin e saj drejt malit.
Ndodhet 2,5 km nga qyteti i Shëngjinit në bashkinë e Lezhës dhe vlerësohet si një gjeomonument i rrallë.
Monumenti i Natyrës, Rana e Hedhun, vendi ku dunat e rërës shkrihen së bashku me detin. Një destinacion unik, me gjatësi 600 m dhe gjerësi 100 m, pozicionuar rrëzë malit të Rencit. Rana e Hedhun njihet edhe për vlerat e saj shkencore gjeomorfologjike, didaktike dhe turistike.
Ky plazh të jep një pamje që nuk e ndesh askund përgjatë bregdetit adriatik. Aty takohet rëra gri me detin e kaltër, ndërsa nuk mungojnë edhe shkëmbinjtë që zbresin nga mali dhe derdhen në det.
/m.q/j.p/r.e/