E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH Problem korrupsioni qeveria szbaton ligjin

Në raportin e përvitshëm për Shqipërinë, Departamenti Amerikan i Shtetit, fshikullon vendin tonë duke nënvizuar problemet me korrupsionin në qeverisje dhe sistemin gjyqësor. Raporti nis me respektimin e lirive dhe të drejtat e njeriut, duke u ndalur tek 21 Janari.

Respektimi i Lirive dhe të Drejtave të Njeriut

Raporti i hartuar për vitin 2011, nis me të drejtat e njeriut, ku një rëndësi të vecantë i kushton 21 Janarit, kur në protestën e opozitës mbetën të vrarë katër demostrues. Në raport thuhet se Garda e Republikës qëlloi mbi protestuesit dhe kritikohet procesi i ngadaltë gjyqësor për zbardhjen e kësaj ngjarje:

“Më 21 Janar, Garda e Republikës vrau 4 protestues opozitarë që po protestonin para Kryeministrisë. Prokuroria nisi një hetim për zbardhjen e ngjarjes, por hetimet dhe procesi gjyqësor ecin ngadalë”, vlerëson raporti.

Në këtë sektor flitet për kushtet në dhomat e paraburgimit dhe burgjeve. Sipas DASH, raportohen raste dhune të gardianëve ndaj të ndaluarve dhe të burgosurve. Raste dhune raportohen edhe nëpër komisariatet e policisë, si dhe arrestime të jashtëligjshme.

DASH i kushton rëndësi rastit “Medicus” duke vlerësuar Shqipërinë për gatishmërinë e treguar për të bashkëpunuar me EULEX në hetimet për zbardhjen e akuzave të Dick Marty-t për trafik organesh gjatë viteve të luftës së Kosovës, 1999-2000.

E drejta për të/t’u zgjedhur

Nis me zgjedhjet e 8 Majit e me procesin e numërimit. “OSBE/ ODIHR vlerësoi zgjedhjet si kompetitive dhe transparente, por të karakterizuara nga një polarizim i thellë politik. Procesi i numërimit në Tiranë ishte problematik dhe vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, për të ndryshuar rezultatin, perceptohet gjërësisht si vendim i njëanëshëm”.

Media dhe liritë civile

Në këtë sektor vlerësohet se pavarësisht faktit që në Kushtetutë sanksionohet liria e shprehjes së mendimit, ka raste kur direkt dhe indirekt, qeveria ndërhynë në linjën editorial të shumë gazetave dhe televizioneve. “Qeveria përcakton linjën editoriale të televizionit publik, që është televizioni kombëtar, ndërkohë që ka patur raste dhune dhe presioni ndaj gazetarëve të mediave të pavarura”, thuhet në raport.

Korrupsioni, qeveria, drejtësia

Pavarësisht se ligji parashikon dënimin e zyrtarëve të korruptuar, thuhet në raport, qeveria nuk mundi të implementojë suksesshëm atë dhe shpesh zyrtarët e akuzuar për praktika korruptive nuk preken nga ligji. Sistemi i arsimit mbetet i korruptuar me raste kur studentët detyrohen të paguajnë për të marrë provimet apo diplomën, në shëndetësi doktorët dhe personeli mjekësor në përgjithësi shpesh kërkojnë rryshfet për të ofruar një shërbim që mundësohet falas nga qeveria. Probleme ka edhe në sistemin e drejtësisë, ka raste kur vendimet merren nga zyrat e gjyqtarëve dhe jo nga sallat e drejtësisë. Mungesa e transparencës nxit korrupsionin. Përvec korrupsionit, në sistemin e drejtësisë vihen re ndërhyrjet politike, nga zyrtarë qeveritarë e politikanë të lartë të vendit, që ndikojnë në vendimet për të dhënë drejtësi. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›