E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Raporti i OKB-së: Prodhimi botëror i kokainës ka arritur nivele rekord

Prodhimi botëror i kokainës ka arritur nivele rekord ndërsa kërkesa për këtë substancë është shtuar sërish pas kufizimeve të ndërmarra në kuadër të luftës kundër përhapjes së Covid 19. Sipas një raporti nga zyra e OKB-së mbi substancat narkotike dhe krimet, mes viteve 2021 dhe 2022 kultivimi i bimës koka u rrit me 35 % duke arritur nivele rekord.

Gjetjet e raportit sugjerjojnë krijimin e pikave  të reja të trafikimit në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.

Sipas  dokumentit, trafikantët kanë përdorur më së shumti shërbimet ndërkombëtare postare për t’ia dërguar drogën konsumatorëve.

Europa dhe Amerika e Veriut janë tregjet më të mëdha të konsumit të kokainës, duke u pasuar nga Amerika Jugore dhe Qendore dhe Karaibet. Por ndërsa raporti sugjeron se  tregjet në Afrikë dhe Azi ishin ende të kufizuara, një zyrtar i OKB-së u shpreh se mundësia që tregjet në ato kontinente të zgjeroheshin ishte një realitet i rrezikshëm. 

Raporti global bën të ditur se rritja e prodhimit të kokainës ishte rezultat i shtimit të kultivimit të bimës koka si dhe përmirësimit të teknikave që përdoren për ta kthyer atë bimë në kokainë pluhur. 

Raporti sugjeron se roli i Afrikës, veçanërisht i Afrikës Perëndimore dhe Qendore si zona tranziti për kokainën që dërgohet në tregjet evropiane kishte shënuar një rritje thelbësore që nga viti 2019. 

Sasia totale e drogës së sekuestruar në Afrikë dhe numri i sekuestrimeve duket se ka arritur nivele rekord gjatë 2021-it, vijon dokumenti, sipas të cilit shpërthimi i covid 19 ndikoi në ndërprerjen  e aktivitetit në tregjet e substancave narkotike pasi u kufizuan ndjeshëm udhëtimet ndërkombëtare.

Kërkesa për kokainë ra ndjeshëm edhe për shkak se klubet e natës dhe baret u mbyllën gjatë pandemisë.   Megjithatë të dhënat më të fundit sugjerojnë se kjo rënie ka patur një ndikim të ulët në tendencat afatgjata. Oferta botërore e kokainës, aktualisht është në nivele record, theksohet në dokument.

Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›