E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raporti i OSBE/ODIHR për 11 majin, Celibashi: Partitë të përfundojnë reformën zgjedhore brenda një viti

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar nevojën për reflektim dhe veprim konkret nga të gjitha palët politike.

“Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it”, u shpreh Celibashi.

Ai nënvizoi se komentet mbi vlerësimet e raportit nuk sjellin dobi, ndërsa u bëri thirrje partive parlamentare të angazhohen për një reformë zgjedhore domethënëse brenda një viti.

“Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet ‘gjykatësit të zgjedhjeve’ nuk kanë ndonjë dobi. Partitë politike duhet të përfundojnë reformën zgjedhore brenda një viti”, tha ai.

Sa i përket performancës së KQZ-së, Celibashi tha se është vlerësuar pozitivisht dhe se gjetjet e raportit “janë një nxitje” për të përmirësuar më tej punën e institucionit. Sipas raportit, KQZ administroi procesin zgjedhor në mënyrë transparente dhe në përputhje me afatet ligjore.

“Thuajse për gjithçka që KQZ bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve, ka pasur vlerësime pozitive. Kjo është një shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë”, përfundoi kreu i KQZ-së.

Vëzhguesit ndërkombëtarë publikuan sot raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit. Monitoruesit dhanë rekomandime të shumta që duhet të adresohen në ligjin e ri, ndërsa vlerësuan se zgjedhjet ishin konkurruese dhe kandidatët patën mundësi të bënin fushatë në publik. Shqetësim mbeten financat e partive dhe përdorimi i parregulluar me ligj i rrjeteve sociale në fushatën zgjedhore. Radio Televizioni Shqiptar u vlerësua për pasqyrimin e ekuilibruar të fushatës elektorale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›